
GAZA- Kaos në magazinat e ndihmave të OKB-së në Gaza. Me qindra njerëz kanë hyrë me vrap nëpër magazina, për të marrë miell, ujë dhe letra higjenike.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët tha se situata në terren paraqitet problematike, teksa ka pasur edhe përplasje fizike mes personave, që po merrnin ndihma.
Disa nga banorët, që morën ndihmat nëpër magazina, kanë folur për gazetarët.
Një banor, i quajtur Abdulrahman al-Kilani tha se nuk kanë as ujë, as ushqim, as letra higjenike për tualet e as ndihma.

"Shtëpitë tona u shkatërruan. Askush nuk kujdeset për ne. Ne i bëjmë thirrje njerëzve të të gjithë botës, të na ndihmojnë. Të gjitha fuqitë ndërkombëtare janë kundër nesh. Jemi në kushte të këqija, kemi uri, prandaj morëm ndihmat”, tha banori.
Të tjerë banorë thanë se fëmijët në enklavë nuk mund të flenë dot gjumë, pa ngrënë e pa pirë ujë.
“E gjitha është e padrejtë. Fëmijët tanë ankohen se nuk flenë dot, pasi nuk kanë ngrënë e nuk kanë pirë ujë”, tha një tjetër banor.
Situata në Gaza paraqitet e rënduar. Izraeli ka nisur operacionin tokësor tashmë, në përpjekje për të shkatërruar Hamasin. Nga lufta, më tepër se 9400 njerëz kanë vdekur, nga të dyja palët./Zëri.ai/