
GAZA- Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar “të ndryshojë situatën në Lindjen e Mesme”. Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se nuk ka kthim mbrapa. Por ndërsa forcat izraelite përshkallëzojnë sulmet e tyre në Rripin e Gazës dhe lëshojnë paralajmërime të reja e urgjente për palestinezët që të largohen nga vendbanimet, pyetja që shtrohet është se çfarë do të vij në fund të luftës?
Pas tmerreve të 7 tetorit, zyrtarët izraelitë vazhdojnë të thonë se ata synojnë të çrrënjosin Hamasin nga Rripi i Gazës, ushtarakisht dhe politikisht.
Por, përtej aplikimit të fuqisë së pamëshirshme e dërrmuese ushtarake, nuk është e qartë sesi do të arrihet kjo ambicie e paprecedentë.
"Nuk mund të promovosh një lëvizje të tillë historike pa një plan për të nesërmen", thotë Dr. Michael Milshtein, kreu i Forumit të Studimeve Palestineze në Qendrën Moshe Dayan të Universitetit të Tel Avivit.
Diplomatët perëndimorë thonë se po zhvillojnë diskutime intensive me Izraelin për të ardhmen, por deri tani, asgjë nuk është e qartë. "Nuk ka absolutisht një plan fiks. Ju mund të skiconi disa ide në letër, por për t'i bërë ato reale do të duhen javë, muaj, diplomaci", tha një diplomat.
Planet ushtarake ekzistojnë, duke filluar nga shkatërrimi i aftësive ushtarake të Hamasit, deri te pushtimi i pjesëve të mëdha të Rripit të Gazës.
Izraelitët janë të gjithë me mendimin se Hamasi duhet të mposhtet. Ata mendojnë se masakrat e 7 tetorit ishin tepër të tmerrshme dhe organizata nuk mund të lejohet më të sundojë mbi Gazën. Por Dr Milshtein, thotë se Hamasi është një ide, prandaj nuk mund ta shkatërrojnë atë fizikisht.
“Nuk është si Berlini i vitit 1945, kur ngjisje një flamur mbi Reichstag dhe kaq ishte”, shprehet Dr Milshtein.
Një paralele më e mirë, thotë ai, është Iraku në vitin 2003, ku forcat e udhëhequra nga SHBA u përpoqën të hiqnin të gjitha gjurmët e regjimit të Sadam Huseinit. Por kjo përpjekje ishte një fatkeqësi. Përpjekja amerikane, la pa punë qindra e mijëra nëpunës civilë dhe anëtarë të forcave të armatosura irakiane, duke rritur irritimin dhe thirrjet për kryengritje.
Veteranët amerikanë të atij konflikti janë në Izrael, duke folur me ushtrinë izraelite për përvojat e tyre. "Unë shpresoj që ata t'u shpjegojnë izraelitëve se ata bënë disa gabime të mëdha në Irak", thotë Dr Milshtein.
Mustafa Barghouti, president i Iniciativës Kombëtare Palestineze deklaron se Hamasi në mesin e palestinezëve ka një emër të fuqishëm, është vetë ideja e popullit.
Giora Eiland, një ish-kryetare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, thotë se e vetmja mënyrë që Izraeli të arrijë ambiciet e tij ushtarake në Gaza pa vrarë shumë palestinezë të pafajshëm, është që civilët të lënë Gazën.
Deri më sot, Izraeli nuk ka thënë se dëshiron që palestinezët të kalojnë kufirin. Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) u kanë thënë vazhdimisht civilëve që të lëvizin vetëm në "zona të sigurta" të keqpërcaktuara në jug.
Por presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sissi, ka paralajmëruar se lufta e Izraelit në Gaza mund të jetë "një përpjekje për t'i shtyrë banorët civilë të... migrojnë në Egjipt".
Izraeli, thotë një ekspert, duhet të mbështesë krijimin e një administrate të re, të drejtuar nga banorët e Gazës, me pranim nga liderët lokalë dhe mbështetje nga SHBA, Egjipti dhe ndoshta Arabia Saudite.
Dhe politikani veteran palestinez Hanan Ashraui mendon se palestinezët në Gaza nuk mund të mposhten, edhe sikur Izraeli të zhdukë Hamasin. “Izraeli mund ta zhdukë Hamasin, por ideja e çlirimit nga izraelitët, tek populli palestinez, do të ekzistojë gjithmonë”, shprehet ai.
Pavarësisht paralajmërimeve, në lidhje me ndërhyrjen në Gaza, Izraeli vijon të këmbëngulë, se pushtimi tokësor, është ideja e duhur.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 9400 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/