
BRITANI E MADHE- Shkencëtarët po përpiqen të krijojnë një lloj të ri buke që është po aq e shëndetshme sa mielli integral, por që ka pamje dhe shije si buka e bardhë. Projekti është financuar nga qeveria për të përmirësuar përfitimet shëndetësore të ushqimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas BBC, studiuesit po planifikojnë të shtojnë sasi të vogla bizeleje, fasulesh dhe drithëra në përzierjen e bukës, si dhe krunde, nga ato që normalisht hiqen nga mielli i bardhë. Prodhuesit e bukës janë përpjekur t'i bëjnë bukët e tyre të bardha më të shëndetshme në të kaluarën duke shtuar krunde në miellin e tyre, por klientëve nuk u pëlqeu shija dhe cilësia. Projekti kërkimor është ende në fazat e hershme.
Dr.Catherine Howarth nga Universiteti Aberystwyth tha se shkencëtarët kishin filluar të analizonin përbërjen kimike të miellit të bardhë. Faza përfundimtare do të jetë testimi i bukës së re te njerëzit për të parë nëse ata mund ta dallojnë atë nga bukët e tjera në supermarket.
Shpresohet që një produkt të jetë në raftet e supermarketeve për rreth dy vite./ZËRI