
PRISHTINË- Përplasje me armë zjarri mes Policisë dhe disa personave. Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, në orën 06:15 të mëngjesit në fshatin Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve. Pasi kanë shkuar për të kontrolluar mjetet, janë përballur me rezistencë. Ndaj tyre është qëlluar me armë zjarri, ndaj edhe Policia për të mbrojtur veten ka nxjerrë armët dhe i është kundërpërgjigjur sulmit.
Në fund të aksionit një person është vendosur në pranga, ndërsa aksioni ende vazhdon.
“Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur veten dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime,”- ka thënë Policia në një njoftim për media.
Gjatë kontrollit të kamionit, Policia tha se janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale: ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave. Kamioni me dele ndërkaq është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vendngjarje janë konfiskuar, kurse më aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë,"-e mbylli njoftimin e saj Policia./ZËRI