Bota

SHBA-ja dhe BE-ja të shqetësuara për bojkotimin e votimit nga Lista Serbe

BE-ja dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në realizimin e të drejtës për serbët e Kosovës

E.K
SHBA-ja dhe BE-ja të shqetësuara për bojkotimin e votimit nga
Zgjedhjet ne Kosove

KOSOVË- Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ambasadorit amerikan në Kosovën, Jeff Hovenier, kanë shprehur keqardhje për thirrjet e Listës Serbe për bojkotimin e votimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës. BE-ja dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në realizimin e të drejtës për serbët e Kosovës.

Në një përgjigje dërguar mediave, BE-ja ka bërë thirrje ndaj Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë në votim. Më tej, ata kanë theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjitha komuniteteve në proceset demokratike.

“Ne marrim në dijeni shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës lidhur me procesin për zgjedhjet e reja. Përkundër kësaj, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia nënkupton pjesëmarrje dhe realizimin e të drejtës për serbët e Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutitë e votimeve.” – thuhet në përgjigje, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ndërkaq, për veprimin e Listës Serbe, ka reaguar edhe ambasada e ShBA-së ka kërkuar po ashtu nga Qeveria e Kosovës që të “të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve” të komunitetit serb në veri të Kosovës në lidhje me këtë proces.

“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër.” – thuhet në një përgjigje për “Kohën Ditore”.

“Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të shkarkuar kryetarët në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë.” – ka thënë më tej zyrtarët nga ambasada.

Nga ana tjetër Lista Serbe bëri të ditur të premten se serbët e Kosovës do të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë në Kosovë i cili filloi me 5 prill.

"Proceset e organizuara nga [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi Serbët, e pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës.” – thuhej mes tjerash në reagimin e Listës Serbe.

Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar për Naiconalen se katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve nga radhët e serbëve, kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqja e tyre vjen një ditë pasi Lista Serbe u tërhoq nga përkrahja e referendumit për largimin e kryetarëve në veri.

“Mund t'ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe.” – ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.

Në 21 prill është caktuar dita e mbajtjes së votimit për shkakrimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të vendit.

Poll

MOS HUMB