
SHBA- Ndryshimi i rregullave të burgut në SHBA reagimin e të dënuarve. Po mendohet që rrjetet sociale të kufizohen për të burgosurit dhe për personat e tjerë që i menaxhojnë këto faqe në emrin e tyre. Delores Eggerson menaxhon llogaritë e mediave sociale të djalit të saj ndërsa ai vuan dënimin e përjetshëm në Arkansas. Për gati 22 vjet, ajo ka hyrë në Facebook-un e tij nga shtëpia e saj në Manville, Teksas, duke kontrolluar mesazhet nga shokët e vjetër të klasës. Kjo është bërë mënyra e saj e të ndjerit të lidhur me të birin.
Ndërsa të burgosurve në mbarë vendin u ndalohet përdorimi i telefonave celularë, goditja e propozuar nga Byroja Federale e Burgjeve (BOP) - shkon një hap më tutje. Gjatë dekadës së fundit, media sociale është bërë një mjet gjithnjë e më thelbësor për shumë prej rreth 2 milionë njerëzve të burgosur. Sipas "The Guardian", aksesi në platforma si Instagram dhe TikTok i ka lejuar të burgosurit të ndajnë historitë e tyre me një audiencë globale.
Një shembull i tillë është Alice Marie Johnson, e cila ishte dënuar me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht në 1997 për një krim jo të dhunshëm. Ajo ishte subjekt i një fushate në mediat sociale në vitin 2017 pasi gazeta Mic publikoi një video të Johnson duke treguar historinë e saj nga qelia e burgut. Videoja u bë virale dhe tërhoqi vëmendjen e Kim Kardashian, e cila punoi me presidentin e atëhershëm Donald Trump për të zbutur dënimin e Johnson. Ajo u lirua nga burgu në vitin 2018.
Po ashtu, mediat sociale janë bërë gjithashtu një mënyrë për të hedhur dritë mbi abuzimin që ndodh brenda burgjeve. Kushtet e këqija të jetesës dhe shkeljet e të drejtave janë tema rutinë në këto platforma, me hashtags si #prisontok dhe #prisonlife duke marrë dhjetëra mijëra shikime. Videot tregojnë gjithçka, nga dhomat me krevat marinari, te ushqimi i tmerrshëm e deri te banjat johigjienike, duke prezantuar audiencën në internet me atë që ndodh vërtetë në burg.
Disa njerëz të burgosur të tjerë, të njohur për publikun si Ross Ulbricht dhe ylli i Tiger King, Joe Exotic, i përdorin llogaritë e tyre duke u bërë thirrje mijëra ndjekësve të tyre që të nisin peticione për lirinë e tyre. Ulbricht, një amerikan që vuan dënimin me burgim të përjetshëm për krijimin e tregut të errët të internetit "Silk Road" ka ngritur shqetësim për ligjin e ri që u ndalon përdorimin e rrjeteve sociale.
“Mund të humbas zërin së shpejti. Mësova se Byroja e Burgjeve po mendon të parandalojë të burgosurit që të jenë të pranishëm në rrjetet sociale. Kam frikë se nuk do të mund ta ndaj më jetën time me ju."
Megan Posco është një publiciste që drejton disa rrjete sociale për John J Lennon, një gazetar i burgosur që vuan dënimin me 28 vite heqje lirie, e cila gjithashtu pajtohet me rëndësinë e mbajtjes së kësaj ure dixhitale midis të burgosurve dhe botës së jashtme.
“Ekziston ky supozim se njerëzit brenda nuk duan të shohin se çfarë po ndodh në botën e jashtme. Por kjo nuk është e vërtetë. Njerëz si John pëlqen të marrin foto dhe të shohin atë që po ndodh në jetën e të tjerëve.”
Posco zakonisht "cicëron" në platformën "X" për Lennon çdo ditë, duke rishpërndarë artikujt e tij. Ndonjëherë, ai i kërkon asaj të postojë diçka, duke kërkuar që të përdoren disa fjalë specifike. Kjo marrëdhënie e mban punën e tij të gjallë dhe të përfshirë në diskursin publik./ZËRI