
Partia qeverisëse e Gjeorgjisë njoftoi të martën se do të propozojë një projekt-ligj për të ndaluar "propagandën LGBTQ" në arsim dhe televizion, vetëm disa ditë pasi parlamenti miratoi një ligj tjetër të diskutueshëm për agjentët e huaj. Ëndrra Gjeorgjiane, e cila ka sunduar që nga viti 2012, në dy vitet e fundit ka forcuar kthesën e saj konservatore, duke akuzuar Perëndimin për minimin e "vlerave tradicionale" të vendit, shumica e të cilit janë të krishterë ortodoksë.
Opozita, nga ana e saj, thotë se autoritetet po e largojnë Gjeorgjinë nga qëllimi i saj për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe në vend të kësaj po i drejtohen Rusisë, ku një ligj i ngjashëm që ndalon "propagandën LGBTQ" u miratua një dekadë më parë. Projektligji për “mbrojtjen e të miturve dhe vlerave familjare” do të kalojë në parlament në qershor. Qëllimi është ndalimi i "propagandës së marrëdhënieve të të njëjtit seks dhe incestit" në institucionet arsimore dhe transmetimet televizive.
Ndalimi "ka lidhje me transmetimin e skenave seksuale në televizion dhe në kinema, që është një praktikë e zakonshme," tha kryetari i parlamentit Salva Papauashvili. Në mars, Ëndrra Gjeorgjiane konsideroi ndalimin e operacioneve mjekësore për ndryshimin e seksit, si dhe martesën e të njëjtit seks, e cila nuk ka qenë kurrë e ligjshme në Gjeorgji. Opozita thotë se nisma është pjesë e përpjekjeve për ta margjinalizuar atë përpara zgjedhjeve vendimtare parlamentare në tetor.
"Ëndrra Gjeorgjiane beson se do ta fusë opozitën në një dilemë, të mbështesë masat dhe të humbasë mbështetjen e votuesve liberalë ose të kundërshtojë dhe të tjetërsojë votuesit konservatorë," komentoi një zyrtar i partisë Akhali, Nika Melia.
Papuashvili nënshkroi të hënën ligjin tjetër të diskutueshëm, i bazuar gjithashtu në një ligj të ngjashëm rus, i cili imponon kontrolle administrative të shtuara mbi organizatat joqeveritare dhe mediat e pavarura që financohen pjesërisht nga jashtë. Partitë opozitare pro-evropiane, nga ana e tyre, hodhën hapin e parë drejt formimit të një fronti të përbashkët, duke bashkë-nënshkruar një strategji politike përpara zgjedhjeve./ZËRI