
KOSOVË- Tre persona dyshohet se e kanë djegur një flamur të Kosovës në Zveçan. Lajmi është bërë i ditur nga Policia vendase, e cila shkruan se rasti është iniciuar si “nxitje e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit”.
“Persona të dyshuar të panjohur kanë djegur një flamur. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sa i përket situatës së krijua, ka reaguar edhe KFOR. Në një njoftim për media KFOR ka bërë të ditur se gjendja në komunën e Zveçanit është stabilizuar.
“Si rezultat, njësitë e Batalionit të Forcave Rezervë Operacionale të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO nuk do të jenë më të pranishme në ndërtesën e komunës. Në vend të kësaj, ata do të qëndrojnë në zonë dhe do të kryejnë patrullime të rregullta për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Lidhur me këtë rast ende nuk ka të arrestuar./ZËRI