
SERBI- Sërish frikë në shkollat e Serbisë. Pas ngjarjeve të rënda të sulmeve me armë në shkolla, një tjetër 13-vjeçar ka kërcënuar se do të vrasë 30 shokë të klasës. Kjo është zbuluar pas një letre ku ai kishte shënuar listën me emra që do të vriste.
Pas këtyre sinjalizimeve prindërit janë ndjerë të frikësuar dhe nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre në shkollë këtë të premte dhe kanë kërkuar marrjen e masave. Dhe takimi i zhvilluar me drejtoreshën e shkollës Milijana Boshkoviç nuk i ka bindur prindërit.
Më herët i mituri ka kërcënuar sërish shokët me armë. Ai ishte futur në ambientet e shkollës dhe ka qëlluar disa herë. Policia ka nisur hetimet.
Më 3 maj të këtij viti një sulm i përgjakshëm në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd do të linte pas 9 viktima dhe disa të plagosur. Autor i ngjarjes ishte një 14-vjeçar, i cili kishte përgatitur një listë me emrat e shokëve dhe mësuesve që do të vriste. Ai hyri në klasë dhe hapi zjarr.
Pak ditë më pas një 15-vjeçare plagosi me thikë 2 persona në një shkollë fillore në Beograd. Gjatë këtyre muajve kërcënimet për sulme në shkolla kanë qenë të larta duke i lënë autoritetet në alert. Lidhur me sigurinë në shkolla u organizuan dhe protesta nga qytetarët në rrugët e Beogradit./Zëri.ai