Bota

'Dinari'! Serbia gjen zgjidhje, hap bankomate për serbët e Kosovës në kufi

Çdo ndërtesë është e pajisur me një bankomat në funksion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, për tërheqjen e dinarëve.

f.t
'Dinari'! Serbia gjen zgjidhje, hap bankomate për serbët e
bankomat në kufi

SERBI- Teksa çështja e dinarit serb vijon të diskutohet, tashmë serbët e Kosovës mund t’i tërheqin dinarët e ofruara nga shteti pranë kufirit. Nga ndalimi i hyrjes së monedhës së dinarit serb në Kosovë serbët u detyruan të udhëtonin qindra kilometra deri në degët më të afërta të bankave në Serbinë qendrore në Rashkë, Novi Pazar, Kurshumli, Vranjë duke shpenzuar para të konsiderueshme për udhëtim.

Banka e Serbisë ka hapur katër degë të reja në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Kosovën në Jarinjë, Bërnjak, Konçulj dhe Merdarë ku serbët e Kosovës mund t’i tërheqin dinarët e ofruara nga shteti serb. Çdo ndërtesë është e pajisur me një bankomat në funksion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, për tërheqjen e dinarëve. Aty serbët do të mund të kryejnë të gjitha veprimet bankare: tërheqje të pagave, pensioneve, ndihma financiare sociale dhe të ardhurave të tjera.

“Muajin e kaluar, Prishtina ndaloi monedhën e dinarit në Kosovë dhe Metohi, për shkak të së cilës serbët u detyruan të udhëtonin qindra kilometra deri në degët më të afërta në Serbinë qendrore për shkak të mungesës së dinarëve, të shpenzonin para të konsiderueshme për udhëtim, të braktisnin punën, por edhe të përballen me probleme të tjera të shumta”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe.

Zgjidhja shihet si e përkohshme, derisa të vendoset funksionimi normal i transaksioneve të pagesave në zonat me popullatë serbe në Kosovë. Secila prej këtyre 4 degëve është e pajisur me një bankomat, ndërsa pika bankare do të shërbejë edhe për të këmbyer valutat. Gjithashtu janë vënë në dispozicion edhe dy degë të tjera të lëvizshme me rrota që do të operojnë përgjatë vijës kufitare mes Serbisë dhe Kosovës.

Dinari serb në Kosovë

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb është në qarkullim që nga paslufta. Shteti serb u paguan paga, pensione, beneficione sociale dhe përfitime të tjera serbëve në Kosovë përmes një sistemi paralel. Ligji për Financat e Energjisë Lokale në Kosovë lejon ndihmën financiare nga Serbia. Shteti serb ka ndarë 139 milionë euro për serbët në Kosovë për vitin 2024, rreth 11 milionë më shumë se në vitin 2023. 

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se vendimi i Bankës Qëndrore të Kosovës, për ndalimin e dinarit serb në tregun kosovar është një metodë e kryeministrit Albin Kurti për të përzënë komunitetin serb. Sipas tij shfuqizimi i dinarit serb është një sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara që nga viti 1999.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës 

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet në Bruksel.

Ndërkohë këtë javë pritet vizita e të dërguarit amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar në Kosovë, i cili do të mbajë takime për ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës në operacionet me para të gatshme dhe do të promovojë hapat për të siguruar që nevojat e qytetarëve të Kosovës të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje./ZËRI

Poll

MOS HUMB