Bota

Samiti i Davos/ Vuçiç takon Lajçak: Veprimet e Prishtinës të njëanshme. Kurti: Serbia ta njohë Kosovën!

Në Davos, presidenti serb Aleksandër Vuçiç u ankua se Prishtina po diskriminon serbët e Kosovës. Ndërsa, kryeministri i Kosovës Kurti u takua me zyrtarin e lartë amerikan, James C O'Brian.

D.XH
Samiti i Davos/ Vuçiç takon Lajçak: Veprimet e
Albin Kurti dhe Aleksander Vucic

DAVOS – Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç deklaroi këtë të mërkurë se në Davos ka paralajmëruar të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në lidhje me ato që ai i konsideron si veprime të njëanshme të Prishtinës, në raport me dialogun. Dy liderët mbajtën takim në Forumin Ekonomik Botëror, që është duke u mbajtur në Davos të Zvicrës.

Në një postim në Instagram, Vuçiç shprehet se ka zhvilluar një bisedë të hapur me Miroslav Lajçak, duke shtuar se ndihet jo mirë, për ato që ai quan kërcënime që po merr popullata serbe në Kosovë. “Kam zhvilluar sot një bisedë të hapur me Miroslav Lajçak në Davos, në lidhje me situatën në Kosovë. Popullata serbe në Kosovë po përballet me kërcënime të vazhdueshme për çdo ditë, të cilat shkaktojnë tensione në rajon”, ka shkruar Vuçiç në Instagram. Mediat serbe shkruajnë se për situatën e serbëve në Kosovë, presidenti serb e ka informuar në detaje Lajçakun.

Samiti i Davos/ Vuçiç takon Lajçak: Veprimet e
Aleksander Vucic dhe Miroslav Lajcak

Sipas Vuçiç, Serbia ka shfaqur një qëndrim korrekt, por se është Prishtina që mban qëndrime të njëanshme. “Serbët në Kosovë përballen me diskriminim të vazhdueshëm nga qeveria e Albin Kurtit, por ne nuk do t’i lëmë asnjëherë ata vetëm. Serbia do kujdeset për çdo serb, kudo që ai jeton”, ka thënë Vuçiç. Ndërkaq, Vuçiç mësohet se ka takuar edhe shumë liderë të tjerë në Davos, ku ka zhvilluar biseda, që kanë në fokus çështje ekonomike. Vuçiç deklaroi se ekonomia serbe është duke performuar mirë, duke përmendur faktin se rroga mesatare në Serbi ka shkuar 1000 euro.

Albin Kurti takohet me Lajçak në Davos: Ritheksova nevojën e njohjes së Kosovës nga Serbia

Edhe kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një takim në Davos me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Kurti ka vënë theksin në faktin se pas procesit të dialogut, pret njohje të shtetit të Kosovës nga Beogradi. “Takova edhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák. Biseduam për hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, shkruan Kurti. Kreu i qeverisë së Kosovës lajmëron se në Davos ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë europian. “Në Davos takova Zëvendës Presidenten e Zvicrës, Viola Amherd dhe Ministrin e Ekonomisë së Zvicrës, Guy Parmelin. U shpreha mirënjohjen e thellë për kontributin e Zvicrës dhënë për Kosovën. Theksuam rëndësinë e mërgatës sonë në Zvicër, që janë urë lidhëse mes dy shteteve tona. Ndërsa me Zëvendëskryeministrin e Ukrainës dhe Ministrin e Transformimit digjital, Mylkhailo Fedorov dhe Administratoren e USAID-it, Samantha Poëer, në Shtëpinë e Ukrainës në Davos diskutuam mbi transformimin digjital”, shprehet Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar takime me disa politikanë gjatë qëndrimit të tij në Davos. Kurti, gjatë vizitës në Zvicër, në kuadër të Forumit të Davosit, është takuar me zëvendës sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit Amerikan, James C. O’Brien. Zyra e Kryeministrisë së Kosovës ka thënë se në qendër të bisedës mes Kurtit dhe O’Brien ka qenë angazhimi për të fuqizuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-ve, teksa janë folur edhe tema, që kanë të bëjnë me zhvillimet rajonale.

Samiti i Davos/ Vuçiç takon Lajçak: Veprimet e
Albin Kurti dhe James C O'Brian

“Si partnerë dhe aleatë, jemi gjithmonë të bashkërenduar dhe në komunikim të vazhdueshëm. Zëvendës sekretari O'Brien vlerësoi përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës dhe vetëpërmbajtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, pavarësisht provokimeve dhe sulmeve në veri të vendit”,- thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu, kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Në një postim në X, Plenkoviç shkroi se me Kurtin ka biseduar për situatën në rajon. “Me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti diskutova për situatën në rajon. E përgëzova për heqjen e regjimit të vizave si dhe i shpreha mbështetjen tonë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar Plenkoviç.

Samiti i Davos/ Vuçiç takon Lajçak: Veprimet e
Albin Kurti dhe Andrej Plenkovic

Në Forumin e Davosit, që po mbahet në Zvicër janë të ftuar politikanë dhe biznesmenë të njohur nga gjithë bota dhe po diskutohen çështje të ndryshme, që shqetësojnë sot globin./ZËRI/

Poll

MOS HUMB