Bota

Sa pranë është Izraeli arritjes së qëllimit në Gaza?

Ekspertët shpjegojnë se luftërat janë të vështira të fitohen, pa një plan, se çfarë do ndodhë me territorin që pushtohet.

D.XH
Sa pranë është Izraeli arritjes së qëllimit në
Gaza

GAZA- Kanë kaluar gati dy javë që kur Izraeli filloi ofensivën e tij tokësore në Gaza dhe më shumë se një muaj që kur filloi sulmet intensive ajrore kundër Hamasit, të gjitha në përgjigje të sulmeve brutale në Izrael, në të cilat u vranë më shumë se 1,400 njerëz.

Objektivi i deklaruar ushtarak i Izraelit që në fillim ka qenë shkatërrimi i Hamasit, ushtarakisht dhe politikisht. Por, sa afër është Izraeli për të arritur këtë qëllim dhe a është i arritshëm?

Izraeli ka thënë vazhdimisht se ky operacion do të jetë i gjatë dhe i vështirë. Një zyrtar i lartë i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) që foli për BBC përdori analogjinë e një ndeshje boksi: "Ky është vetëm raundi i katërt nga 15".

Askush në Izrael nuk po thotë saktësisht se sa do të zgjasë lufta. Disa tregojnë faktin se u deshën nëntë muaj që forcat irakiane të mbështetura nga perëndimi të rimarrin qytetin e Mosulit nga grupi i Shtetit Islamik (IS) në vitin 2017.

Izraeli mund të dëshirojë të vazhdojë luftimet edhe për disa muaj të tjerë, megjithëse mund të mos ketë gjithçka nën kontroll, pasi presioni ndërkombëtar për pauza në luftime apo edhe armëpushim po rritet.

Humbjet ushtarake

Deri më tani, Izraeli thotë se ka kryer më shumë se 14,000 sulme dhe ka vrarë dhjetëra persona që i dyshon si elemente të rrezikshëm, duke përfshirë komandantë të lartë të Hamasit. Secili prej këtyre sulmeve ka dashur armë të shumta. Yaakov Katz, një ekspert ushtarak dhe ish-redaktor i gazetës Jerusalem Post, thotë se Izraeli tashmë ka harxhuar më shumë se 23,000 municione.

Për krahasim, në kulmin e betejës për Mosulin, aleatët perëndimorë hodhën rreth 500 bomba në javë mbi objektivat e IS.

Më shumë se 10,800 njerëz në Gaza janë vrarë që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, duke përfshirë më shumë se 4,400 fëmijë.

Ushtria thotë se forcat e saj tokësore kanë ndarë me sukses Rripin e Gazës midis veriut dhe jugut dhe se trupat e saj kanë rrethuar qytetin. Po ashtu, ushtria izraelite pretendon se ata tani janë "thellë në zemër të qytetit", por se ende janë larg kontrollit të enklavës. Hamasi ka mohuar që forcat izraelite të kenë arritur ndonjë përfitim të rëndësishëm ose të jenë në zona të rëndësishme në qytetin e Gazës.

Kjo fazë fillestare e ofensivës tokësore të Izraelit duket se po shkon sipas planit, me synimin e saj për të izoluar Hamasin dhe kostoja për Hamasin ka të ngjarë të ketë qenë e lartë. Vlerësimet në fillim të luftës sugjeruan se grupi militant palestinez kishte midis 30,000-40,000 luftëtarë.

Një burim i lartë i mbrojtjes izraelite i tha BBC-së se rreth 10% e luftëtarëve të Hamasit- 4,000 prej tyre - janë vrarë. Vlerësime të tilla janë të pamundura për t'u verifikuar dhe duhet të trajtohen me kujdes, por shkalla e madhe e fushatës së bombardimeve të Izraelit do të ketë degraduar tashmë aftësinë e Hamasit për të luftuar.

Në të kundërt, humbjet ushtarake izraelite duket se kanë qenë relativisht të ulëta. Izraeli thotë se 34 ushtarë të tij janë vrarë që nga fillimi i operacioneve tokësore. Yossi Kuperuasser, një ekspert izraelit i inteligjencës dhe sigurisë, thotë se ushtria po kryen operacionet e saj tokësore "me shumë kujdes", për të shmangur numër të madh viktimash në mesin e trupave të saj.

Ende nuk është e qartë sesa luftëtarë të Hamasit kanë mbetur në veri, sa luftëtarë mund të jenë ende të fshehur në tunele, ose sa mund të jenë bashkuar me popullsinë lokale që ka ikur në jug.

Sfidat e ‘luftës urbane’

Më i dukshëm është avantazhi i rëndësishëm i Izraelit për sa i përket inteligjencës dhe aftësive ushtarake. Ai mund të përgjojë komunikimet dhe madje të fikë telefonin celular dhe rrjetet e internetit të Gazës. Ka epërsi të plotë ajrore me avionët dhe dronët izraelitë, të aftë të monitorojnë çdo lëvizje në tokë, por jo nën sipërfaqe.

Një burim i lartë i ushtrisë izraelite i tha BBC-së se ata ende po identifikonin më shumë se 100 objektiva të rinj çdo ditë, megjithëse kjo listë ka të ngjarë të zvogëlohet, sa më gjatë të vazhdojë kjo luftë. Sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më shumë, Izraelit do t'i duhet të mbështetet në trupat në terren, për të identifikuar dhe eliminuar rezistencën.

Justin Crump, një ish-oficer i Ushtrisë Britanike që tani drejton Sibylline, një kompani e inteligjencës për rrezikun, thotë se Izraeli duket se po bën përparim të arsyeshëm duke pasur parasysh dendësinë e terrenit, por ata tani do të ndeshen me zonat urbane më të mbrojtura të qytet.

Trupat izraelite janë më të pajisura dhe të trajnuara mirë, por lufta urbane mund të jetë ende e vështirë për ushtritë më të përparuara.

Deri më tani, luftimet e afërta në terren duket se kanë qenë të kufizuara dhe sigurisht nuk janë asgjë në raport me shkallën e luftës urbane që po zhvillohet midis Rusisë dhe Ukrainës në qytete si Bakhmut. Shumica e videove të publikuara nga ushtria izraelite tregojnë se në vend të luftës përballë, ajo mbështetet në luftime me tanke dhe armaturë.

As Izraeli nuk i ka angazhuar të gjitha forcat e tij. Disa vlerësojnë se mund të ketë deri më tani 30,000 trupa brenda Gazës. Kjo është një përqindje relativisht e vogël e totalit të ushtrisë së Izraelit - 160,000 personel ushtarak aktiv plus 360,000 rezervistë.

Justin Crump thotë se pyetja është se sa nga këmbësoria e ushtrisë izraelite është e gatshme të angazhohet për eliminimin e çdo ndërtese dhe të tuneleve të Hamasit?

Izraeli në vend të kësaj, mund të zgjidhte të luftonte në bastionet e Hamasit. Ai beson se Izraeli do të përpiqet të shmangë luftimet ballë për ballë, jo vetëm sepse kjo strategji mund të çojë në numër të lartë viktimash. Gjithashtu, sigurisht që do të rrezikonte jetën e më shumë se 200 pengjeve.

​Tunelet ende paraqesin një sfidë të rëndësishme për Izraelin. Forcat e saj po përpiqen të hedhin në erë ato tunele që gjen, në vend që të përfshihen në luftime nëntokësore.

Një plan pas pushtimit

Kjo ngre pyetjen nëse qëllimi i deklaruar i luftës i Izraelit - shkatërrimi i Hamasit - është me të vërtetë i arritshëm. Edhe zyrtarët e lartë izraelitë e kuptojnë se shkatërrimi i një ideologjie me bomba dhe plumba është i pamundur.

Disa nga udhëheqësit e grupit nuk janë as në Gaza. Katz thotë se nëse elementët e Hamasit mund t'i mbijetojnë operacionit, atëherë ata mund të pretendojnë se e kanë fituar luftën.

Për këtë arsye, Crump beson se qëllimet e luftës së Izraelit mund të kalojnë nga shkatërrimi i Hamasit në ndëshkimin e tij, për t'u siguruar që sulmet e 7 tetorit të mos përsëriten. Izraeli është gjithashtu nën presion në rritje për të shpjeguar se çfarë do të ndodhë më pas, veçanërisht nga SHBA.

Luftërat rrallë fitohen pa një plan pas pushtimit - diçka që ka munguar plotësisht në operacionin ushtarak të Izraelit deri më tani./BBC - Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB