
SHBA- Rupert Murdoch, manjati i fuqishëm i medias së krahut të djathtë, i cili ndërtoi dhe mbikëqyri një nga perandoritë më me ndikim të lajmeve në botë, njoftoi të enjten se do të largohet nga posti si drejtues (chairman) i kompanive të tij, "Fox Corporation" dhe "News Corp". Vendimi i Murdoch për të dhënë dorëheqjen do të shkaktojë tronditje në industrinë e medias në një kohë kur gara presidenciale po "nxehet".
Tashmë është djali i tij, Lachlan, ai që shërben si shef ekzekutiv i Fox Corporation dhe që do të bëhet drejtuesi i vetëm i të dy kompanive. Murdoch e përshkroi Lachlan si "një udhëheqës pasionant, parimor". Është e paqartë nëse drejtimi i Fox do të ndryshojë nën udhëheqjen e Lachlan, por Rupert e la të qartë se Lachlan do të mbajë linjën editoriale të krahut të djathtë, për të cilin janë të njohura kompanitë e tij mediatike.
Rupert Murdoch, i cili siguroi stafin se ai është në "shëndet të mirë", tha se në rolin e tij të ri si "chairman emeritus" ai do të ishte ende i përfshirë çdo ditë në "garën" e ideve. Edhe pse mbështetës, Lachlan Murdoch e ka kritikuar privatisht Trumpin, duke u shprehur se ai nuk pajtohet me shumë nga sjelljet e ish-presidentit. Murdoch ka shkuar aq larg sa u thotë njerëzve se mendon që nëse Trump do të kandidonte përsëri për president, do të ishte lëvizje e keqe për vendin.
Një karrierë me histori, por e diskutueshme
Hyrja e Murdoch në biznesin e medias filloi në vitet 1950 me një zinxhir të vogël gazetash australiane, duke u zmadhuar më vonë si drejtues ekzekutiv në 1985 kur bleu "Twentieth Century Fox" nga naftëtari Marvin Davis për 600 milionë dollarë. Në vitin 1986, Murdoch hyri në biznesin e televizionit pasi bleu disa stacione televizive amerikane dhe krijoi Fox Broadcasting.
Fox News u lançua në 1996 si një konkurent konservator i CNN. Megjithatë, rrjeti i mediave u largua nga rrënjët e tij në lajmet konservatore pasi ish-presidenti Donald Trump mori pushtetin në vitin 2015. Vitet e fundit, nën Murdoch, Fox News u ka dhënë peshë teorive të pabaza konspirative, duke përfshirë pandeminë Covid-19 dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2020./Zëri.ai