
GJERMANI- Krimi i organizuar po përhapet në të gjithë Evropën, sipas agjencisë së zbatimit të ligjit të BE-së, Europol, me një prirje në rritje për dhunë midis rrjeteve kriminale që përbën një problem në vendet europiane.
"Krimi i organizuar është në rritje. Ai shfrytëzon çdo dobësi," i tha shefja e Europol-it, Catherine De Bolle për revistën gjermane të lajmeve Der Spiegel, raportojnë mediat e huaja.
Sipas Europolit, prodhimi i kokainës në Amerikën Qendrore dhe Jugore është në pikun e vet dhe Evropa është e larë në drogë.
“Situata është dramatike”, ka thënë De Bolle, duke përmendur se po vërehet rritje e tregtisë edhe për droga tjera.
Sipas hetimeve të autoritetit policor me bazë në Hagë, 821 rrjete të rënda kriminale janë aktive në Bashkimin Evropian. Këto banda, me më shumë se 25,000 anëtarë, janë shumë profesionale dhe të pamëshirshme, paralajmëroi së fundmi Europol. Biznesi kryesor, sipas analizave, është trafiku i drogës.
De Bolle ka thënë se paratë e fituara prej drogës në Evropë, zakonisht qëndrojnë brenda kontinentit dhe investohen në ekonomi lokale. Sipas saj, policia ka nevojë për pajisje teknike dhe personel, për të pasur mundësi që t’i luftojë këto rrjete.
“Kjo e bën krimin e organizuar një prej kërcënimeve më të mëdha të kohës sonë. Nëse nuk investojmë më shumë, ne do ta humbim luftën,"-u shpreh ajo.
Pas një konflikti të ashpër midis bandave gjermane dhe holandeze të drogës në zonën e Këlnit, sindikata e hetuesve kriminalë gjermanë (BDK) ka paralajmëruar krime të tilla si sulme me eksploziv dhe rrëmbime./ZËRI