
BANGKOK-Shumë detaje janë ende mister dhe askush nuk mund të tregojë se çfarë ndodhi në katin e pestë të Grand Hyatt Erawan në Bangkok. Oficerët e Policisë pasi hapën derën u ndeshën me 6 trupa të jetë dhe me shenja se kishin konsumuar cianid. Sipas dëshmive të punëtorëve të hotelit, askush nuk u dëgjua të ulërinte, ose të thërriste për ndihmë. Askush madje nuk kishte arritur të ecte dhe t’i afrohej derës. Në dhomën e hotelit nuk kishte as shenja përplasje, madje në tavolinë ndodhej dreka e përgatitur që pushuesit nuk mundën ta shijonin. Nga jashtë dhomës "502", e vetmja e dhënë për tmerrin brenda dhomës së mbyllur ishte fakti që grupi nuk u largua në kohë nga hoteli.
E megjithatë brenda ishin gjashtë trupa, së bashku me filxhanë çaji që kishin brenda cianid. Oficerëve nuk iu desh shumë kohë për të kuptuar se pushuesit kishin pirë çajin e helmuar. Por disa ditë pasi policia zbuloi trupat, u ngritën pyetje të ndryshme dhe pista të reja: Pse ata dhe kush i helmoi?
Kush janë gjashtë viktimat?
Katër nga viktimat janë shtetas vietnamezë, Thi Nguyen Phuong, 46 vjeçe, burri i saj Hong Pham Thanh, 49 vjeç, Thi Nguyen Phuong Lan, 47 vjeçe dhe Dinh Tran Phu, 37 vjeç.
Dy të tjerët janë shtetas amerikanë me origjinë vietnameze, Sherine Chong, 56 vjeçe dhe Dang Hung Van, 55 vjeç.
Sipas hetuesve, Chong besohej se kishte marrë hua 10 milionë baht (280,000 dollarë; 215,000 £) nga Hong Pham Thanh dhe Thi Nguyen Phuong për të investuar në ndërtimin e një spitali në Japoni. Çifti, që zotëronte një biznes ndërtimi, me sa duket nuk kishte mundur t'i kthente paratë. Në fakt, çështja do të ndiqej nga një gjykatë në Japoni pas disa javësh.
Në pamje të parë, ky takim dukej se ishte një përpjekje për të diskutuar çështjen përpara gjyqit. Thi Nguyen Phuong Lan ishte atje sepse Chong, që jetonte në Oakland të Kalifornisë, i kishte kërkuar asaj që të vepronte si ndërmjetëse e saj me çiftin në lidhje me investimin.
Por si u lidhën dy të tjerët me rastin?
Dinh Tran Phu, një make-up artist i suksesshëm, klientela e të cilit përfshin yje të filmit, këngëtarë dhe mbretëresha të bukurisë në Vietnam, ishte në mbledhje pasi punonte për Chong. Babai i tij, duke folur për BBC Vietnamese, theksoi faktin se ai kishte udhëtuar në Tajlandë me klientët e tij të rregullt, jo me të panjohur.
Çfarë ndodhi në suitën e tyre të hotelit?
Grupi u vendos në hotel veçmas gjatë fundjavës dhe iu caktuan 5 dhoma, katër në katin e shtatë dhe një në katin e pestë. Chong u regjistrua në dhomën 502 të dielën. Pak minuta para orës 14:00, Chong filloi të merrte porositë e ushqimit në dhomën 502. Ajo ishte vetëm në suitë në atë kohë.
Të gjithë trupat mbanin shenja të helmimit me cianid, të cilat, në doza të caktuara, mund të vrasin brenda pak minutash. Buzët dhe thonjtë e tyre kishin marrë ngjyrë vjollce të errët që tregonte mungesë oksigjeni, ndërsa organet e brendshme u kthyen në "të kuqe gjaku", që është një tjetër shenjë e helmimit me cianid.
Kush i helmoi?
Policia dyshon se një nga të vdekurit ishte pas helmimit dhe ishte shtyrë nga borxhi dërrmues, por nuk ka thënë se kush. Sipas gazetës vietnameze VN Express, hetuesit thanë se Chong ishte paditur nga pesë të tjerët për investimet e tyre të dështuara. Takimi në Bangkok u thirr për të negociuar një zgjidhje, por përpjekja dështoi./ZËRI