DAMASK - Media shtetërore siriane raporton se forcat izraelite kanë goditur me raketa dy aeroportet kryesore ndërkombëtare të vendit, duke i nxjerrë jashtë funksionit.
Media shtetërore tha se pistat ishin dëmtuar, si në aeroportin e Damaskut, ashtu edhe në Aleppo dhe fluturimet u detyruan që të devijohen në Latakia, një qytet në Sirinë veriperëndimore.
Izraeli nuk ka komentuar sulmin. Tel Avivi ka sulmuar më parë objektiva në Sirinë e shkatërruar nga lufta. Ministri i Jashtëm i Iranit po planifikonte të fluturonte për në Siri të premten.
Aeroportet e Damaskut dhe Aleppos të Sirisë, jo vetëm që trajtojnë aviacionin civil, por edhe bazat ushtarake, të cilat thuhet se janë pika tranziti për armët iraniane të dërguara për Hezbollahun, një grup militant, i cili është i fuqishëm, si në Siri ashtu edhe në Liban.
Një burim i paidentifikuar ushtarak, i cituar nga media shtetërore siriane, tha se sulmet të njëkohshme izraelite kishin dëmtuar shiritat e uljes në dy aeroporte, duke i nxjerrë ato jashtë shërbimit. Burimi e quajti këtë një përpjekje të dëshpëruar izraelite, për të larguar vëmendjen nga konflikti i Gazës.
Izraeli dyshon se Irani po mbështet Hamasin, që sundon Rripin e Gazës. Qeveria iraniane, armiqësore ndaj Izraelit, festoi sulmin e befasishëm të Hamasit të shtunën, në të cilin u vranë 1300 izraelitë. Irani ka dënuar bombardimin hakmarrës të Gazës nga Izraeli, i cili ka shkatërruar lagje të tëra. Zyrtarët palestinezë thonë se më shumë se 1 700 njerëz janë vrarë në bombardime.
Që nga sulmi i Hamasit, ka pasur disa shkëmbime zjarri ndërkufitare midis Izraelit dhe militantëve në Libanin jugor dhe Siri. Izraeli ka dërguar përforcime në veri për të penguar çdo sulm të Hezbollahut.
Irani, Hezbollahu dhe Rusia janë aleatët kryesorë të presidentit sirian Bashar al-Assad në betejën e tij të gjatë kundër grupeve opozitare dhe të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS). Ministria e Jashtme e Rusisë dënoi sulmin me raketa izraelite në Siri, duke thënë se jetët e njerëzve të pafajshëm dhe siguria e trafikut ajror ndërkombëtar u ekspozuan ndaj një kërcënimi real.
Moska tha se në kohën e përkeqësimit të mprehtë në konfliktin e Izraelit me palestinezët, veprime të tilla janë të mbushura me pasoja jashtëzakonisht të rrezikshme, pasi ato mund të provokojnë një përshkallëzim të armatosur në të gjithë rajonin.
Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1300 persona. Tel Avivi u përgjigj, duke vrarë më shumë se 1700 njerëz. /Zëri.ai/