
KOSOVË-Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) u ka kërkuar emigrantëve që të shmangin lëvizjen nëpër territorin e Serbisë. Masa vjen pas ngjarjes së rëndë ku një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur gjatë një kontrolli rutinë në Loznicë të Serbisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd bën me dije se po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shton se do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb. Më herët, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se organet e sigurisë po punojnë për mbledhjen e informacioneve./ZËRI