
BRUKSEL – Komisioni Europian (KE) ka kritikuar Kosovën dhe Serbinë, për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në raportet e tij të progresit për të dyja vendet. Sipas progres raportit, Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së. Ky është vlerësimi më i shpeshtë në Raportin, të cilin KE-ja pritet ta miratojë më 8 nëntor, pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve.
“Si Kosova, ashtu edhe Serbia, akoma nuk e kanë filluar zbatimin e obligimeve të tyre përkatëse, të cilat dalin nga Marrëveshja, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese për palët, dhe pjesë e rrugëtimit të tyre evropian. Palët duhet urgjentisht të nisin angazhimin më konstruktiv dhe të nisin zbatimin pa vonesa të reja, apo parakushte”, thuhet në Raportin e Progresit, raporton REL.
Raporti nënvizon detyrimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në këtë pikë, dokumenti thekson se drafti i parë i statutit të Asociacionit, i cili ishte paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut në muajin maj, e që praktikisht ishte draft i Serbisë, “nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet relevante nga dialogu“. Raporti tani kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve u është dhënë më 21 tetor.
“Nga Kosova pritet ta nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian, i cili u propozua para palëve më 21 tetor 2023, dhe nga Serbia kërkohet ta mbështesë këtë proces dhe paralelisht ta fillojë përmbushjen e obligimeve të veta kyçe nga Marrëveshja“, paralajmëron raporti.
Raporti e quan tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotin e tyre të zgjedhjeve lokale të prillit të vitit 2023 si shkelje të obligimeve të Serbisë nga dialogu, që paraqet kthim të madh mbrapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e parë për parimet për normalizimin e marrëdhënieve dhe shkelje direkte të marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015.
Raporti përmend edhe disa obligime të tjera nga dialogu, të cilat nuk janë zbatuar, përfshirë edhe hapjen e urës mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, marrëveshjen për energjinë, e të tjera. Serbia përmendet si palë, e cila nuk zbaton as marrëveshjen për kadastrat dhe diplomat universitare.
Raporti për tensionet në veriun e Kosovës
Raporti i Progresit i këtij viti i përshkruan me kujdes tensionet në veri të Kosovës, duke dalë në përfundimin se të dyja palët kanë ndikuar që të ketë kriza të tilla për shkak të veprimeve të tyre.
Kosova, sipas raportit, ka ndikuar në rritjen e tensioneve me praninë e shtuar të njësive speciale të Policisë dhe me Ligjin për shpronësim në veri, ndërsa Serbia me tërheqjen e serbëve nga institucionet dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.
Megjithëse në deklaratat publike të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ky sulm është cilësuar si “terrorist“, Raporti i Progresit i referohet atij vetëm si “sulm i dhunshëm“ ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa brenda në raport flitet për “operacion të madh të kontrabandës së armëve“.
“Kriza më serioze gjatë periudhës që përfshin raporti ndodhi më 24 shtator të vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga individë të armatosur rëndë, të cilët u zunë në befasi gjatë një operacioni të madh të trafikimit të armëve, duke lënë një polic të vrarë dhe tre të plagosur. Gjatë operacionit sulmuesit morën peng disa pelegrinë, duke u barrikaduar në manastirin ortodoks serb në Banjskë, të cilët i lanë pas kur u larguan“, thuhet në raport. Raporti i bën thirrje Serbisë për bashkëpunim të plotë në hetime dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit.
Përparimi i “kufizuar” i Kosovës
Sa i përket përparimeve që ka arritur Kosova në fushat që i mbikëqyr Komisioni Evropian, “përparim i kufizuar“ është arritur në luftë kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në lirinë e shprehjes. Në të shumtën e rasteve, raporti thekson se nuk ka pasur sa duhet rezultate në zbatim, ndonëse është arritur përparim në miratimin e kornizës ligjore.
Raporti vlerëson se Kosova ka dështuar ta reformojë aministratën publike, duke nënvizuar se “nuk ka pasur përparim“ në këtë fushë.
Situata politike në Kosovë vlerësohet si e qëndrueshme, ku raporti e përmend faktin se Lëvizja Vetëvendosje gëzon një shumicë të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës, e cila ia ka "mundësuar ta çojë përpara një agjendë ambicioze të reformave evropiane".
Kosova vlerësohet për reformën e ligjit zgjedhor. Tashmë, si problem kronik, përmendet pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës si pasojë e mungesës së kuorumit, pavarësisht faktit se partia në pushtet ka shumicën e nevojshme në Kuvend. Problem i veçantë edhe në punën e Kuvendit, sipas raportit, është bojkoti i deputetëve serbë, të cilët shkojnë vetëm sa për t’i ruajtur mandatet, por vazhdojnë bojkotin.
Raporti ka dhënë disa vërejtje në fushën e lirisë së mediave. Ai përmend sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, problemet me financim të mediave që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve të interesave politike apo financiare, dhe jotransparencën e pronësisë së mediave.
Dhjetëra gazetarë u sulmuan në veri të Kosovës, derisa mbulonin protestat e grupeve të serbëve kundër kryetarëve të zgjedhur shqiptarë të komunave me shumicë serbe në atë zonë gjatë kësaj vere. Asnjë rast i sulmeve ndaj gazetarëve në veri të Kosovës nuk është duke u gjykuar.
Të mërkurën, në takimin e Kolegjit të 27 Komisionarëve, do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.
Është hera e parë që raportet do të miratohen për 10 vende që janë në këtë proces. Janë gjashtë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor - Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia - pastaj Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, ndërsa raport progresi i bëhet ende edhe Turqisë, e cila vazhdon formalisht ta ketë statusin e vendit kandidat për anëtarësim./Zëri.ai/