
KOSOVË-Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale që të zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për dhënien e tokës një manastiri ortodoks serb. Kurti i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 në mënyrë që 24 hektarë tokë t'i kalojnë në pronësi Manastirit të Deçanit, për shkak se siç tha ai Kosova është kushtëzuar me këtë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE).
Një vendim gjykate i vitit 2016 konfirmoi se 24 hektarë tokë e diskutueshme i përkasin manastirit të shekullit të 14-të të Deçanit, i cili është një vend Trashëgimie Botërore nga UNESCO. Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se kishte vepruar nën presionin e Këshillit të Evropës.
“Na u bë e qartë se duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshill të Europës këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit dhe rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtet ndërtues të Republikës sonë”, tha Kurti.
Një vendim të tillë të Qeverisë e përshëndetën edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas një takimi të mbajtur midis tyre në të njëjtën kohë me mbledhjen e qeverisë. Escobar, i cili po qëndron për një vizitë në Prishtinë, ku tha se "aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte i domosdoshëm".
Më 22 mars të këtij viti është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit në Këshillin e Evropës, ndërsa në mes të prillit mbahet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe në fund të majit të këtij viti në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në Këshillin e Evropës, do të vendoset pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në KE.
Çështja e Manastirit të Deçanit?
Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse mendojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit. Ato vlerësojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) Sllobodan Millosheviç, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit. Pikërisht mbi këto pretendime shpesh janë thirrur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Manastiri i Deçanit i cili ndodhet në pjesën perëndimore të territorit të Kosovës, që nga periudha e pasluftës kërkon që të marrë në pronësi një sipërfaqe prej rreth 24 hektarësh përreth objektit të tij fetar. Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016. SHBA dhe BE i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, që të zbatojë vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit./ZËRI