
MOSKË- Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar presidentin e ardhshëm të SHBA-ve Donald Trump, për fitoren e tij në zgjedhjet e 5 nëntorit. Putin është shprehur se është i gatshëm të flas Trump dhe e përshkroi atë si një njeri të guximshëm. Putin uroi Trumpin gjatë një fjalimi që mbajti gjatë një konference ndërkombëtare në Soçi në Detin e Zi.
“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi që ta uroj republikanin Donald Trump për fitoren e tij si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jam gati për të mbajtur bisedime me të, për të mirën e vende tona”, tha Putin.
Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, Trump kishte deklaruar se nëse zgjidhej president, ai do t’i jepte fund shumë shpejt luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022. Ai po ashtu ka kritikuar ndihmën miliardëshe që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës, ndërkaq pas fitores në zgjedhje është zotuar sërish se do të ndalë luftërat në mbarë botën.
Në këto zgjedhje Trump ka marrë gjithsej më shumë vota se Kamala në nivel të gjithë Amerikës dhe e ka kaluar atë edhe për nga numri i votave kyçe elektorale, që ka mbledhur deri më tani, 295 kundrejt 226 të saj. Ai fitoi pesë nga shtatë shtetet që ishin vendimtare në këto zgjedhje dhe kryeson në Nevada dhe Arizona, dy shtetet e vetme që nuk kanë shpallur ende fitues.
Përveç fitores së Trump, republikanët rifituan edhe kontrollin e Senatit, dhe po kryesojnë në garën për Dhomën e Përfaqësuesve. /ZËRI