Bota

Zelensky bisedon me Trump pas fitores së zgjedhjeve: Uroj që Amerika të bëhet më e fortë

Lideri ukrainas përsëriti mesazhin se Kievi do të ndjekë politikën e “paqes përmes forcës,” në vend të lëshimeve të territorit apo neutralitetit.

I.F
Zelensky bisedon me Trump pas fitores së zgjedhjeve: Uroj që Amerika
Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

KIEV- Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se pati një bisedë “produktive” me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. Ai tha se ende nuk e di se cilat janë planet e tij, por uroi që Amerika të bëhet më e fortë.

“Ende nuk mund të dimë se cilat do të jenë veprimet e tij specifike. Por, shpresojmë që Amerika të bëhet më e fortë. Kjo është lloji i Amerikës që i duhet Evropës. Dhe një Evropë e fortë është ajo që i duhet Amerikës”, tha Zelensky.

Lideri ukrainas përsëriti mesazhin se Kievi do të ndjekë politikën e “paqes përmes forcës,” në vend të lëshimeve të territorit apo neutralitetit.

“Është në dorë të Ukrainës të vendosë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të jetë në rendin e ditës për t’i dhënë fund kësaj lufte. Çdo vend, çdo lider që respekton ligjin ndërkombëtar dhe ulet në këtë tryezë duhet të kuptojë se grabitqarët gjithmonë kërkojnë më shumë”, përfundoi ai.

Trump është zgjedhur president, por ai do të marrë detyrën vetëm në një ceremoni që do të mbahet para Shtëpisë së Bardhë në Uashington në janar. Pra Donald Trump ka siguruar rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk është ende zyrtarisht president - dhe do të duhen më shumë se dy muaj para se të kthehet në Zyrën Ovale.

Trump pritet që të betohet si president pas datës 20 janar dhe Joe Biden do të qëndrojë në pushtet deri atëherë - megjithëse ai do të jetë shumë i kufizuar politikisht.

Në këto zgjedhje Trump ka marrë gjithsej më shumë vota se Kamala në nivel të gjithë Amerikës dhe e ka kaluar atë edhe për nga numri i votave kyçe elektorale, që ka mbledhur deri më tani, 295 kundrejt 226 të saj. Ai fitoi pesë nga shtatë shtetet që ishin vendimtare në këto zgjedhje dhe kryeson në Nevada dhe Arizona, dy shtetet e vetme që nuk kanë shpallur ende fitues. Përveç fitores së Trump, republikanët rifituan edhe kontrollin e Senatit, dhe po kryesojnë në garën për Dhomën e Përfaqësuesve. /ZËRI

Poll

MOS HUMB