Bota

Putin: Sulmi në spitalin e Gazës i tmerrshëm, palët të negociojnë

Kreu i shtetit rus deklaroi se pas takimeve që ka zhvilluar me liderë të vendeve të Lindjes së Mesme, beson se asnjëri nga ata nuk dëshiron konflikt rajonal.

D.XH
Putin: Sulmi në spitalin e Gazës i tmerrshëm, palët të
Putin dhe Xi

MOSKË - Presidenti rus Vladimir Putin tha këtë të mërkurë, se një shpërthim në një spital në Gaza, që vrau qindra palestinezë, ishte një katastrofë e tmerrshme. Kreu i shtetit rus bëri thirrje, që konflikti të përfundojë me anë të negociatave.

Zyrtarët palestinezë fajësuan një sulm ajror izraelit për shpërthimin në spitalin Al-Ahli al-Arabi. Më shumë se 500 njerëz u vranë nga sulmi. Izraeli tha se shpërthimi ishte shkaktuar nga një lëshim rakete nga grupi militant Palestinez Xhihadi Islamik, i cili mohoi se ka gisht në këtë ngjarje.

“Sa i përket sulmit në spital, tragjedia që ndodhi atje është një ngjarje e tmerrshme”, tha Putin pas bisedimeve me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin. "Qindra të vdekur dhe qindra të plagosur janë sigurisht një katastrofë", shtoi presidenti rus.

"Unë me të vërtetë shpresoj se ky do të jetë një sinjal se ne duhet t'i japim fund këtij konflikti, sa më shpejt të jetë e mundur. Në çdo rast, ne duhet të fokusohemi në mundësinë e fillimit të disa kontakteve dhe negociatave", përfundoi fjalën Putin.

Rusia, e cila mban raporte me Iranin, Hamasin, fuqitë e mëdha arabe, si dhe me palestinezët dhe Izraelin, ka thënë vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi kanë injoruar nevojën për një shtet të pavarur palestinez, brenda kufijve të vitit 1967.

Putin foli të hënën me presidentin iranian Ebrahim Raisi, presidentin sirian Bashar al-Assad, presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Në ato bisedime, Putin tha se kishte krijuar përshtypjen se asnjë politikan nuk dëshironte që konflikti të përshkallëzohej. “Kam përshtypjen se askush nuk dëshiron që ky tmerr të vazhdojë, që konflikti të zhvillohet dhe situata të përkeqësohet më tej. Për mendimin tim, politikanët kryesorë nuk duan që konflikti të marrë përmasa më të mëdha dhe të shtrihet më gjerë në rajone të tjera", deklaroi kreu i shtetit të Rusisë.

Putin tha gjithashtu se kishte diskutuar situatën me presidentin kinez, Xi. Një spital në Gaza u sulmua me raketë. Hamasi akuzoi Izraelin për sulmin, ndërsa Tel Avivi akuzon grupet xhihadiste./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB