
Ukraina po u bën thirrje aleatëve të saj që të mos e njohin Vladimir Putinin si presidentin legjitim përpara betimit të tij nesër. Franca do të dërgojë nesër ambasadorin e saj në inaugurimin e presidentit rus Vladimir Putin për një mandat të ri gjashtëvjeçar si president, tha sot një burim diplomatik francez, ndryshe nga Gjermania, e cila tha se nuk do të përfaqësohej.
“Franca do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Rusi”, tha një burim diplomatik francez.
Burimi vuri në dukje se Parisi ka dënuar më parë mjedisin represiv në të cilin u mbajtën zgjedhjet, duke u mohuar votuesve të drejtën për një zgjedhje reale, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase të pushtuara nga Rusia, të cilat Franca e konsideron shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të Kartës të Kombeve të Bashkuara. Marrëdhëniet franko-ruse janë përkeqësuar muajt e fundit pasi Parisi ka rritur mbështetjen e tij për Ukrainën. Vetëm javën e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron nuk përjashtoi dërgimin e trupave në Ukrainë.
Nga ana e saj, Gjermania njoftoi se nuk do të dërgojë një përfaqësues në ceremoninë e betimit të Vladimir Putin. Vendet baltike, të cilat nuk kanë më të dërguar në Moskë, gjithashtu e përjashtuan kategorikisht pjesëmarrjen në ceremoni. Dy diplomatë evropianë thanë se nuk presin që SHBA të dërgojë një përfaqësues në inaugurim, megjithëse Uashingtoni nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar.
“Ne besojmë se izolimi i Rusisë, dhe veçanërisht i liderit të saj kriminal, duhet të vazhdojë”, tha ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis.
“Pjesëmarrja në ceremoninë e betimit të Putinit nuk është e pranueshme për Lituaninë. Prioriteti ynë mbetet mbështetja e Ukrainës dhe popullit të saj që po lufton kundër agresionit rus”.
Ministria e Jashtme e Ukrainës u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë të Kievit që të mos e njohin Vladimir Putinin si presidentin legjitim të Rusisë.
“Ukraina nuk sheh ndonjë bazë ligjore për ta njohur atë si presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe legjitime të Federatës Ruse”, tha ministria në një deklaratë të lëshuar përpara inaugurimit të Putinit nesër./ZËRI