Bota

Pse përdorimi masiv i termit ‘mjedis toksik pune’ nuk ndihmon punonjësit?

Përdorimi masiv i fjalës toksik, ka bërë që të mos dallohen aq tepër, vendet e punës vërtetë problematik,e me ato vende pune, ku ka disa problematika të zakonshme burrokratike.

D.XH
Pse përdorimi masiv i termit ‘mjedis toksik pune’ nuk ndihmon
Vende toksike pune

SHBA - Pothuajse në çdo kompani, ka një punonjës që mendon se vendi i tyre i punës është 'toksik'. Termi është kthyer në aq popullor, sa përdoret për të përshkruar të gjitha llojet e çështjeve të punës: probleme të mëdha, të tilla si sjelljet joetike, abuzive, diskriminuese dhe madje të paligjshme; por edhe çështje të përditshme, si puna me orë të gjata ose ankesat e thjeshta në raport me vendin e punës.

Fjala ‘punë toksike’ po përdoret shpesh kohët e fundit

Në gusht, këngëtarja Lizzo u akuzua për krijimin e një mjedisi armiqësor pune përmes ngacmimeve seksuale, fetare dhe racore, diskriminimit të personave me aftësi të kufizuara, si dhe sulmeve verbale. Në shtator, Rolling Stone e përshkroi shfaqjen amerikane “The Tonight Shou” si një vend pune toksik, pas ankesave nga punonjësit për një atmosferë me presion të lartë, sjellje të çrregullt të prezantuesit Jimmy Fallon dhe ngacmime nga drejtuesit.

Fjala ‘toksicitet’ po përdoret kaq shumë. Ekspertët thonë se ka gjasa që të kemi përdorim të tepërt dhe keqpërdorim të fjalës ‘toksik’.

Nga lindi termi ‘toksik’?

Termi 'toksik' ka një histori të dhunshme. Në kohët e lashta, harkëtarët zhytën majat e shigjetave në një përzierje gjaku dhe helmi gjarpri. Grekët e quajtën këtë 'toxikon pharmakon', e përkthyer si 'shigjeta të helmuara'. E huazuar nga latinishtja dhe frëngjishtja, fjala 'toksike' u regjistrua për herë të parë në anglisht në shekullin e 17-të, për të përshkruar helmin.

Në epokën industriale, 'toksik' i atribuohej vendeve të punës me toksina të vërteta: materiale të rrezikshme dhe kimikate kancerogjene. Një udhëzues i vitit 1989 përcaktoi 'vendet toksike të punës', si ato mjedise, që paraqesin konflikte dhe komunikim agresiv. Gjatë dekadave në vijim, "toksik" u bë një fjalë shumë e përhapur, pas lëvizjes #MeToo dhe për të përshkruar mjediset të dëmshme të punës.

“Në vitet e mëvonshme, fjala "toksik" është përdorur për të përshkruar edhe shqetësimet e përditshme në vendin e punës”, thotë Thomas Erikson, autor i "Rrounded By Bad Bosses". Erikson shprehet se fjala po përdoret masivisht. "Fjala ka kaluar në hiperinflacion, shpesh përdoret për të etiketuar në mënyrë dramatike situata që në fakt nuk janë helmuese, por më tepër i referohen përvojave negative me një menaxher të keq. Fjala ‘toksik’ përdoret kaq shpesh, sa nuk reagoj, sa herë që e lexoj apo dëgjoj”, shprehet eksperti.

Erikson fajëson mediat sociale për popullarizimin e termit dhe përdorimin e tij me tepricë. Ndërsa teknologjia krijon më shumë mundësi për të ekspozuar mjedise të vërteta të dëmshme të punës, ajo mund të bëjë që punëtorët të ekzagjërojnë problemet. "Eksagjerimet shpesh kërkojnë vëmendje. Dhe gjithçka përhapet më shpejt tani: kërkoni '#toxicworkplace' dhe do shihni se ka përdorim të shpeshtë”, deklaron ai. Mediat sociale kanë bërë që më shumë punonjës të thonë se kushtet e punës nuk janë ideale. Mirëpo, kjo nuk nënkupton se mjedisi është toksik, por thjesht nuk është perfekt.

Njerëzit tashmë përpiqen të kenë një vend pune, ku nuk ka të bërtitura, nuk punojnë më shumë se orari i punës dhe nuk dëshirojnë të ketë tensione. Mirëpo, nëse ka përvoja negative pune, mund të thuhet se është një ditë pune zhgënjyese, por është e tepruar të thuhet fjala “toksike”.

Përdorimi i gjerë i fjalës ‘toksik’ nuk ndihmon punonjësit

Titujt e medieve vazhdojnë të flasin për atmosfera kaotike, për vende pune ku përballen me problematika apo ku ka dhe ngacmime seksuale ndaj punonjësve. Kur punonjësit kanë revoltë, ata përdorin termin ‘toksik’, por kjo nuk iu shërben aq shumë atyre.

Përdorimi kaq masiv për çdo problem pune i fjalës 'toksik' do të thotë se mjediset vërtet të dëmshme mund të mos merren aq seriozisht. Donald Sull, pedagog i lartë në MIT Sloan School of Management, me qendër në Massachusetts, SHBA, shprehet se kur fjala përdoret kaq shumë, ajo humb peshën që ka pasur dikur.

"Kur fjala toksik përdoret kaq shumë, e humb peshën e madhe që ka pasur dikur. Dhe kjo është e dëmshme, sepse shefat mund të thonë se këtë frazë e thonë të gjithë dhe mund ta hedhë poshtë ankesën e punonjësit”, deklaroi pedagogu Donald Sull. Fjala ka kaluar në hiperinflacion, shpesh përdoret për të etiketuar në mënyrë dramatike situata që nuk janë në të vërtetë helmuese, por më tepër referohet për përvoja negative me një menaxher të keq.

Cili do ishte një përkufizim më i saktë?

Analiza e Sull arriti në përfundimin se punonjësit përdorin termin ‘mjedis toksik’, kur ata nuk respektohen në vendin e punës, kur përballen me shefa joetikë dhe vënë re abuzime të ndryshme.  Sull thotë se termi 'toksik' nuk duhet përdorur për ankesa të vogla, por për sjellje, që janë vërtetë skandaloze.

“Të përballesh me burrokracinë e zakonshme në vendin e punës është një gjë, por është një gjë tjetër nëse abuzohesh, nënçmohesh dhe nuk respektohesh para kolegëve: ndjen një nënçmim të madh, stres dhe nuk mund ta harrosh në fund të ditës së punës. Ndërsa kur përballemi me probleme në vendin e punës që janë më tepër burrokratike, më mirë do ishte të përdoren terma si 'irritime' apo 'zhgënjime’”, deklaron eksperti./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB