Bota

Dialogu Kosovë-Serbi/ SHBA & BE dalin me deklaratë të përbashkët! THIRRJE palëve

Pastaj, në mënyrë të veçantë përmendet normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

E.K
Dialogu Kosovë-Serbi/ SHBA & BE dalin me deklaratë të
Pamje nga samiti i zhvilluar në Uashington mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian

SHBA- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, kanë bërë thirrje këtë të premte për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që dy vendet t’i kthehen dialogut.

Ky qëndrim është përfshirë edhe në deklaratën e përbashkët, të miratuar në samitin mes SHBA-së dhe BE-së, që është mbajtur më 20 tetor në Uashington, shkruan REL.

Të pranishëm në Samitin kanë qenë dhe Presidenti Joe Biden dhe Sekretari i Stetit Antony Blinken. Ndërkohë Bashkimi Europian përfaqësohej nga Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështesim perspektivën evropiane të rajonit. Të gjithë partnerët duhet t'i vazhdojnë reformat e kërkuara, për të përparuar në rrugëtimin e tyre evropian, është thënë në pjesën e deklaratës kushtuar këtij rajoni, raporton REL.

Pastaj, në mënyrë të veçantë përmendet normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Kjo deklaratë e SHBA-së dhe BE-së vjen një ditë para vizitës së doplomatëve perëndimorë në Prishtinë e Beograd për të bindur palët që ti rikthehen dialogut.

Në takime do të marrin pjesë: Mirosllav Lajçak, emisar I BE-së për dialogun Kosvë-Serbi, I dërguari I SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo.

Tensionet mes dy vendeve u thelluan pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegët e tij. Në shkëmbim e sipër të zjarrit mes Policisë dhe terrorsitëve janë vrarë edhe tre nga këta të fundit. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, i cili më pas ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e parties. Ky i fundit ka mohuar përfshirjen e Beogradit zyrtar në ngjarje.

Kosova është në kërkim të ekstradimit të Radoiçiçit nga Serbia. Prishtina e fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit, por ajo i hedh poshtë të gjitha pretendimet. Diplomatët perëndimorë e kanë përmendur disa herë se zbatimi i Marrëveshjes së arritur më 27 shkurt në Bruksel është hap kyç për rrugën përpara drejt integrimeve evropiane.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat./Zëri.ai

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB