
QUITO - Biznesmeni Daniel Noboa, 35 vjeç, do të jetë presidenti më i ri në historinë e Ekuadorit, pasi fitoi balotazhin e së dielës. Pas më shumë se 97% të votave të numëruara, Noboa, kishte një epërsi prej 4 përqind ndaj rivales së tij të majtë, Luisa Gonzalez.
González pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe e përgëzoi Noboan për fitoren e tij. Në fjalimin e tij të fitores, Noboa tha se ai do t'i kthejë buzëqeshjen dhe paqen vendit. Fushata zgjedhore u la në hije nga nivele të paprecedenta dhune, teksa një nga kandidatët për të parin e shtetit, Fernando Villavicencio, u vra vetëm disa ditë përpara raundit të parë të votimit në gusht.
Vrasjet në Ekuador u katërfishuan midis 2018 dhe 2022 dhe sondazhet sugjeruan se siguria ishte shqetësimi kryesor i votuesve në zgjedhje. I rrethuar nga ushtarë të armatosur rëndë, Noboa doli në skenë dhe tha se nesër do të fillojmë të punojmë për një Ekuador të ri, për të rindërtuar një vend të goditur nga dhuna, korrupsioni dhe urrejtja.
Analistët theksojnë se Noboa, i cili ka pak përvojë politike, do të përballet me një situatë të vështirë për të trajtuar problemin e sigurisë së Ekuadorit dhe për të rritur ekonominë, që po performan dobët.
Ndërsa mandatet presidenciale në Ekuador zakonisht zgjasin katër vite, këto ishin zgjedhje të parakohshme të shkaktuara nga shpërndarja e parlamentit nga presidenti në largim Guillermo Lasso. Noboa do të kryejë mandatin e filluar nga Lasso, që do të përfundojë në maj 2025. Më pas ai mund të kandidojë për një mandat të dytë.
Mbështetësit e biznesmenit të ri dolën në rrugë për të festuar fitoren e tij. "Ne kemi nevojë për gjak të ri, sepse politika e vjetër na ka bërë kaq shumë dëm", tha një student 23-vjeçar për agjencinë e lajmeve Reuters. "Presidenti ynë nuk duhet të humbasë kohë dhe të punojë shumë për të vënë frenat ndaj pasigurisë", tha një tjetër.
Gjatë fushatës së tij, Noboa tha se do të luftonte bandat e fuqishme të vendit - shumë prej të cilave veprojnë nga brenda burgut. Ai ka thënë gjithashtu se do të rrisë sigurinë në kufijtë dhe portet e Ekuadorit, për të ndërprerë rrugët kryesore të trafikut të drogës.
Për të forcuar më tej ekonominë, ai ka premtuar të rrisë mundësitë e punësimit për të rinjtë ekuadorianë, veçanërisht duke krijuar stimuj për kompanitë vendase dhe të huaja. I diplomuar në Shkollën Kennedy të Harvardit, Daniel Noboa u ka bërë thirrje votuesve të rinj, që janë zhgënjyer nga realiteti. Ndërsa ai u paraqit si një alternativë ndaj politikanëve më të njohur, kritikët e tij theksojnë se ai vjen nga një nga familjet më të fuqishme në Ekuador. I riu Noboa është djali dhe trashëgimtari i manjatit të bananeve Álvaro Noboa, i cili u përpoq të zgjidhej president pesë here.
Fitorja e tij shihet nga shumë njerëz në Ekuador si një refuzim nga votuesit ndaj Lëvizjes së Revolucionit Qytetar dhe liderit të saj Rafael Correa. Correa, qeverisi Ekuadorin nga viti 2007 deri në 2017 dhe që atëherë është dënuar për parregullsi në fushatë, e po jeton në mërgim në Belgjikë, por vazhdon të ushtrojë ndikim të konsiderueshëm në politikën e Ekuadorit.
Luisa Gonzalez ishte kandidatja e zgjedhur e Correas dhe kishte premtuar se do të rivendoste shumë nga programet sociale që mentori i saj kishte prezantuar gjatë kohës së tij në detyrë. Dhe ndërsa avokatja 45-vjeçare kishte qenë drejt fitores në raundin e parë, ajo nuk arriti të fitonte votues të rinj përpara raundit të dytë.
Disa sondazhe sugjeruan se votuesit e rinj në veçanti ishin të lodhur nga retorika përçarëse e përdorur nga Correa dhe partia e tij. Megjithatë, pas humbjes së saj, González falenderoi dhe ata që nuk e votuan. "Ata që nuk votuan për ne, i përgëzoj sepse kandidati juaj fitoi, dhe si ekuadoriane, unë përqafoj çdo votues", tha ajo./Zëri.ai/