Bota

Polici i dënuar për vrasjen e George Floyd plagoset me thikë në burg

Rasti i Chauvin bëri bujë në media, pasi u akuzua se vrau George Floyd, një njeri me ngjyrë. Vrasja e Floyd shkaktoi zemërim në mbarë SHBA-të, teksa demonstruesit protestuan kundër racizmit dhe sjelljes brutale të policisë.

D.XH
Polici i dënuar për vrasjen e George Floyd plagoset me thikë
Derek Chauvin

SHBA- Ish-oficeri i policisë së Minneapolis, Derek Chauvin, i dënuar për vrasjen e George Floyd, është goditur me thikë në një burg të Arizonës, raportojnë mediat amerikane. Një burim i tha AP se 47-vjeçari u plagos rëndë nga një tjetër i burgosur.

New York Times, duke cituar dy persona që kishin dijeni për situatën, raportoi gjithashtu se ai ishte sulmuar fizikisht. Chauvin, po vuan dënim të rëndë për vdekjen e Floyd, ngjarje që shkaktoi protesta të mëdha kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit. Byroja e Burgjeve konfirmoi në një deklaratë se një i burgosur në një burg federal në qytetin Tucson u godit me thikë në orën 12:30 me orën lokale të premten.

Agjencia tha se punonjësit e frenuan incidentin dhe u morën masa shpëtimi ndaj të burgosurit, i cili më pas u dërgua në spital. Chauvin raportohet se i ka mbijetuar sulmit. Incidenti i raportuar vjen disa ditë pasi Gjykata e Lartë refuzoi apelin e tij, në të cilën u argumentua se ai nuk kishte marrë një gjykim të drejtë për vrasjen e Floyd - i cili vdiq pasi Chauvin vendosi këmbët në qafën e tij për më shumë se nëntë minuta në 2020.

Vrasja - e kapur në kamerën e telefonit të një kalimtari - shkaktoi zemërim global dhe një valë demonstratash kundër padrejtësisë racore dhe përdorimit të forcës nga policia. Chauvin u shpall fajtor e u dënua me 20 vjet burg në korrik 2022 për shkeljen e të drejtave civile të George Floyd./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB