Bota

E PLOTË- Ç'po ndodh në Ekuador? Nis lufta "shtet-banda"

Pas arratisjes së kreut të një bande kriminale të raportuar të dielën e kaluar dhe pas disa trazirave në burgje që nisën mëngjesin e së hënës, presidenti Daniel Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

k.m.
E PLOTË- Ç'po ndodh në Ekuador? Nis lufta
Foto ilustruese

EKUADOR- Presidenti Daniel Noboa pranoi ekzistencën e një konflikti të brendshëm mes shtetit dhe më shumë se 20 bandave kriminale që operojnë në vendin e Amerikës Latine. Pas arratisjes së kreut të një bande kriminale të raportuar të dielën e kaluar dhe pas disa trazirave në burgje që nisën mëngjesin e së hënës, presidenti Daniel Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe që atëherë, pavarësisht masave që mori qeveria, të paktën 40 ngjarje të dhunshme janë regjistruar në të gjithë vendin. Kështu që presidenti Noboa nënshkroi një dekret duke i përmendur me emër bandat kriminale: Águilas, ÁguilasKiller, Ak47, Caballeros Oscuros, ChoneKiller, Choneros, Covicheros, Cuartel de las Feas, Cubanos, Fatales, Gánster, Kater Piler, Lagartos, Latin Kings, Lobos, Los p. Los Tiburones, Mafia 18, Mafia Trébol, Patrones, R7, Tiguerones. Të gjithë i shpalli si organizata terroriste.

"Nga ky moment, çdo grup terrorist i identifikuar në dekretin e lartpërmendur është bërë një objektiv ushtarak."

Që nga ai moment, helikopterët e Forcave të Armatosura fluturojnë mbi qytet dhe togat e ushtarëve të mbledhur jashtë disa institucioneve dhe ndërtesave për siguri. Megjithatë nuk ka shkuar sipas planit. Mes 20 të vdekurve, është edhe këngëtari ekuadorian Diego Gallardo, i njohur si Aire del Golfo, i cili humbi jetën nga një plumb qorr pasditen e 9 janarit.

Siç raportojnë të afërmit e tij në rrjetet sociale, artisti ishte në automjetin e tij duke shkuar për në shkollën e të birit, në momentin që plumbi i mori jetën.

PENGMARRJA LIVE dhe RRËFIMET E PENGJEVE

Një grup prej rreth 10 personash me kapuç hynë në kanalin TC Televisión të Ekuadorit të martën gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë dhe morqën peng disa punonjës. Kryeredaktorja e programit të lajmeve, Alina Manrique, në një deklaratë për agjencinë AP  ka rrëfyer atë që ndodhi: Më vunë një armë në kokë. Tani jam në panik. Kam menduar për gjithë jetën time, për dy fëmijët e mi. Thjesht qaja nga paniku. Në fund, kriminelët kur hyri policia, duke e parë veten të rrethuar dorëzuan armët. E përqafova policin. Ai më shtrëngoi dorën dhe u ngrita nga dyshemeja.

Boris Jiménez, drejtor i kamerave TC, i tha AP se kaloi një ditë paniku dhe terrori. 

"Tani thjesht dua të shkoj në shtëpi për të përqafuar gruan dhe fëmijët e mi. Ne jemi gjallë sot nga një mrekulli.”

Pengmarrja ndodhi një ditë pasi presidenti ekuadorian, Daniel Noboa ,ishte dekretuar gjendjen e jashtëzakonshme dhe shtetrrethimin si kundërpërgjigje për arratisjen nga burgu të Adolfo Macías, alias "Fito", lideri i një bande kriminale lokale.

KUSH JANË LOS TIGUERONES?

Sipas Insight Crime, Los Tiguerones janë banda kriminale që vepron kryesisht në Esmeraldas dhe ka nga 4000 deri në 5000 anëtarë. Kjo bandë kishte një aleancë me Los Lobos, të cilët ishin të lidhur me kartelin meksikan Jalisco Nueva Generación. Në mars 2023, burime policore i shpjeguan Infobae se Los Tiguerones përdorin të njëjtën strategji si Pablo Escobar në Kolumbi për të fituar simpatinë e banorëve të Esmeraldas. Sipas këtyre burimeve, Los Tiguerones bëjnë shfaqje për fëmijët vendas në data të veçanta si Krishtlindjet. I bëjnë dhurata dhe i bindin se policia është armike. Madje, Policia ka qindra raste të të miturve që këndojnë himnin e grupit.

QË KUR U BË EKUADORI, SHTET I DHUNËS?

Dhuna filloi të kishte pasoja publike në shkurt 2021 me një masakër brenda burgut më të dhunshëm në vend "Penitenciaría del Litoral", në Guayaquil, i cili konsiderohet si qyteti më i rrezikshëm në territor. Përplasja e përgjakshme në atë burg la të paktën 79 të burgosur të vrarë dhe ishte i pari në një seri përplasjesh të dhunshme mes të burgosurve nga bandat rivale.

Sipas autoriteteve, mosmarrëveshjet brenda burgjeve filluan me vdekjen në dhjetor 2020 të një drejtuesi bosi të trafikut të drogës të bandës Los Choneros, Jorge Luis Zambrano, alias “Rasquiña”, i lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës. Zhdukja e tij çoi në ndarjen e brendshme midis grupeve lokale që kërkonin të merrnin pushtetin e tij. Në shtator të të njëjtit vit, ndodhi masakra më e rëndë e burgjeve  ku 119 të burgosur u vranë në qendra të ndryshme të vuajtjes së dënimit, madje disa prej tyre u prenë kokat. Në total, rreth 18 përleshje të dhunshme ndodhën brenda burgjeve duke lënë më shumë se 450 të burgosur të vdekur në 3 vitet e fundit.

Viti 2023 përfundoi si më i dhunshmi në historinë e Ekuadorit, me më shumë se 7,600 vrasje, nga 4,600 që përfundoi viti 2022.

ÇFARË PO BËN QEVERIA SI PËRGJIGJE?

Presidenti ekuadorian, Daniel Noboa, i cili mori detyrën një muaj e gjysmë më parë, premtoi gjatë fushatës se do të zhdukte dhunën me planin e tij "Fénix", një strategji sigurie për të cilën nuk janë zbuluar detaje por që deri më tani nuk i ka ndalur aktet e dhunës në vend. Si pasojë e zhdukjes së "Fito-s" nga burgu, ai dekretoi gjendjen e jashtëzakonshme dhe shtetrrethimin e natës për të mobilizuar në rrugë policinë dhe personelin ushtarak. Me këtë dispozitë kufizohen të drejtat si lëvizjes së lirë, grumbullimeve, etj. Me sulmin në kanalin TC Televisión, Noboa shkoi një hap më tej dhe, pa shpjeguar qëllimin real të vendimit të ri, e shpalli Ekuadorin të martën se kishte “një konflikt të armatosur të brendshëm” dhe identifikoi grupet e krimit të organizuar si “ terroristë”.

KUSH ËSHTË “FITO”, LIDERI I LOS CHONEROS?

E PLOTË- Ç'po ndodh në Ekuador? Nis lufta
José Adolfo Macías Salazar

Qeveria ekuadoriane vazhdon kërkimin për José Adolfo Macías Salazar, alias “Fito”, lider i Los Choneros, e konsideruar si një nga bandat kriminale më të rrezikshme në vend për lidhjet e saj të dyshuara me kartelet meksikane. Choneros u shfaqën në vitet 1990 në Chone, një qytet në provincën bregdetare të Manabí, dhe fituan gradualisht fuqi në trafikun e drogës, veçanërisht në tranzitin e kokainës nga Kolumbia në Amerikën Qendrore ose Amerikën e Veriut.

“Fito” lindi më 18 nëntor 1979 në qytetin Manta dhe mori drejtimin e Los Choneros pas vrasjes së Jorge Luis Zambrano, alias “Rasquiña” , më 28 dhjetor 2020. SAktivitetet e tij të paligjshme datojnë nga viti 2000, kur u arrestua për herë të parë për grabitje. 11 vjet më vonë ai u kap dhe u dënua me 34 vjet burg për trafik droge, krim të organizuar dhe vrasje.

Prej natës së 8 janarit, Ekuadori është në luftë, e cila po vazhdon dhe nuk po kursen as të pafajshmit. ZËRI do iu mbajë të përditësuar me zhvillimet më të fundit./ZËRI

Poll

MOS HUMB