Bota

Dosjet korruptive mbi 'shpinë'/ Kush ishte César Suarez, prokurori ekuadorian u ekzekutua sapo dilte nga puna

Suarez, si çdo ditë, u largua nga Prokuroria pas përfundimit të orarit të punës, pa e kuptuar se mjetin e tij po e ndiqte një tjetër mjet nga pas.

k.m.
Dosjet korruptive mbi 'shpinë'/ Kush ishte César Suarez,
Mjeti i César Suarez

EKUADOR- Prokurori César Suarez, i cili po hetonte sulmin nga një grup i armatosur në një stacion televiziv në Guayaquil, u qëllua për vdekje ditën e djeshme. Suarez, si çdo ditë, u largua nga Prokuroria pas përfundimit të orarit të punës, pa e kuptuar se mjetin e tij po e ndiqte një tjetër mjet nga pas. Ata ishin pikërisht personat që do t'i bënin atentatin. Kur ai mbërriti në rrugën Los Ceibos, në veri të qytetit ekuadorian, një nga burrat qëlloi mbi mjetin e tij duke i marrë jetën. 

Edhe pse ai po hetonte ngjarje të mëdha në vend, prokurorit César Suarez nuk iu dha mbrojtje. Suarez ishte prokurori i ngarkuar me hetimet që përfshinin figura të njohura për pushtetin dhe evazionin fiskal.

Por kush ishte prokurori?

Dosjet korruptive mbi 'shpinë'/ Kush ishte César Suarez,
César Suarez

Suarez lindi në Paján, në provincën Manabí, 118 kilometra në veri të Guayaquil. Një pjesë të karrierës së tij si prokuror e kaloi në Manta, ku hetimet e tij kishin të bënin me përvetësimin në sigurimet shoqërore të Policisë, korrupsionin në spitalet publike, lidhjet mes trafikut të drogës dhe sistemit gjyqësor dhe aktet terroriste.

Gjatë muajve më kritikë të pandemisë së koronavirusit, ndërsa Guayaquil u përball me një krizë që përfshinte edhe humbjen e trupave të atyre që vdiqën nga sëmundja, një komplot korrupsioni u zbulua në spitalet publike. Në sajë të raportimeve gazetareske u zbulua se kishte mbi tarifa dhe parregullsi të tjera. Përballë kësaj, Prokuroria krijoi një Task Forcë të dedikuar për hetimin e krimeve që lidhen me devijimin e fondeve dhe mbiçmimet në spitalet kryesore publike. César Suarez drejtoi hetimet dhe deri në vitin 2023 ai arriti të dënonte vëllezërit Daniel dhe Noé Salcedo.

Daniel Salcedo është një i arratisur nga drejtësia, i cili u kap në Panama një ditë para vrasjes së Súarez. I arrestuari tashmë duhet të vuajë tre dënime me burg: 13 vjet për përvetësim, 3 vjet për futje të sendeve të ndaluara në burg dhe 4 vjet burg për mashtrim procedural. Si pjesë e hetimeve për korrupsionin në spital, u ndoq penalisht edhe Álvaro Ponce, ish-drejtor i spitalit Guasmo Sur në Guayaquil. Kur Salcedo u arrestua në Panama, ai ishte me Ponce. Ish-zyrtari po hetohej për shitjen e paligjshme të Actemra, një ilaç që premtonte shërimin e koronavirusit dhe që tregtohej në rrjetet sociale deri në 2000 dollarë, kur çmimi i tij nuk i kalonte 400 dollarë.

Gjatë mandatit të tij si prokuror, Suarez zbuloi parregullsi në kontratat e spitalit Teodoro Maldonado Carbo, të Institutit Ekuadorian të Sigurimeve Shoqërore (IESS). Në vitin 2022, Suarez akuzoi tre ish-zyrtarë dhe një furnizues për përvetësim të furnizimeve mjekësore, që sipas hetimeve i sollën spitaleve humbje prej 300 mijë dollarësh. 

Më 9 janar, Ekuadori përjetoi një nga ditët më të rënda për vendin. Rreth orës 14:00 të asaj dite, ndodhi pengmarrja e TC Televisión.

Suarez ishte prokurori i ngarkuar për hetimin e atij rasti, që në fund i mori dhe jetën./ZËRI

Poll

MOS HUMB