
EKUADOR- Cesar Suarez, prokurori që po hetonte mbi sulmin në një studio televizive në Ekuador, është vrarë. Ai u qëllua për vdekje në qytetin Guayaquil, ndërsa akoma nuk saktësohet nëse vrasja e tij është e lidhur me hetimet që po kryente për sulmin në televizion. Sipas mediave vendase prokurori u qëllua teksa po shkonte pranë zyrës së tij.
Në një intervistë për gazetën “El Universo” një ditë para vdekjes së tij, Suarez tha se atij nuk i ishte dhënë mbrojtje policore pavarësisht se kishte marrë në pyetje 13 personat e arrestuar pas sulmit në stacionin televiziv.
"Kriminelët, terroristët, nuk do të pengojnë angazhimin tonë ndaj shoqërisë ekuadoriane," tha prokurorja e përgjithshme e vendit, Diana Salazar, në një video të postuar në mediat sociale. “U bëjmë thirrje forcave të rendit të garantojnë sigurinë e atyre që po kryejnë detyrën”.
Sipas policisë, nga hetimet e para pas vrasjes së prokurorit, dyshimet janë për një atentat të mirëfilltë, ndërsa ai u qëllua me breshëri plumbash.
Vrasja e Suarez është e fundit në një mori incidentesh të dhunshme në të gjithë Ekuadorin pas arratisjes së dy bosëve të bandave kriminale nga burgu, qindra rojeve të burgut të marrë peng dhe shpërthime në disa qytete.
Rreth një javë më parë, një grup meshkujsh të armatosur hynë në një studio televizive që po transmetonte drejtpërdrejtë në Ekuador dhe kërcënuan stafin.
Transmetimi i drejtpërdrejtë nga stacioni “TC” i Ekuadorit u ndërpre nga grupi i armatosur, të cilët ishin të maskuar. Stafi i televizionit u detyrua që të ulej poshtë në dysheme përpara se të ndërpritej transmetimi. Pas ngjarjes, 13 persona u vunë në pranga si të dyshuar.
/ZËRI