Bota

Përsëritet tragjedia 'Martin Cani'/ Vritet me thikë 14-vjeçari në Prizren

14-vjeçari u dërgua në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

F.I
Përsëritet tragjedia 'Martin Cani'/ Vritet me thikë
viktima Omer Purova

KOSOVË-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Prizren, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur me thikë. 14-vjeçari dyshohet se është goditur për vdekje me thikë nga një 17-vjeçar. Viktima është identifikuar si Omer Purova. 14-vjeçari u dërgua në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Në vendngjarje është sekuestruar thika, që dyshohet se është përdorur në krim, ndërsa autori adoleshent është arrestuar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i mituri i dyshuar është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin që çoi në përfundimin fatal të konfliktit.

“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i mituri 17 vjeçar, dyshohet se ka privuar nga jeta të miturin 14 vjeçar, duke therur me thikë, i cili është hasur në vendin e ngjarjes dhe nga i njëjti është sekuestruar një thikë e cila dyshohet se është përdorur për ta kryer veprën penale”, thuhet në njoftim.

Shkolla "Emin Duraku" njoftoi se Omeri ishte nxënës i saj dhe se ai kishte përfunduar klasën e nëntë në qershor të këtij viti.

"Me dhembshurinë më të madhe bëjmë këtë postim në lidhje me vdekjen e nxënësit tonë Omer Purova, i cili ndërroi jetë tragjikisht natën e 27.08.2026. Omeri kishte ëndrra, aspirata për jetën e tij si çdo fëmijë. Pas përfundimit të shkollës fillore, ai do të vazhdonte shkollën e mesme. Megjithatë, për fat të keq, ëndrrat e tij u shuan dhe mbetën përgjysmë, pas këtij momenti tragjik që pësoi. Shpresojmë që raste të tilla të mos ndodhin më dhe që prindërit të kenë më shumë kontroll mbi fëmijët e tyre, në mënyrë që ata të mos qëndrojnë zgjuar deri vonë... dhe që këto raste të mos përsëriten kurrë",-thuhet në reagimin e shkollës. 

Rasi po hetohet nga autoritetet kompetente, ndërsa ende nuk bëhen të ditura detaje rreth shkakut që çoi në ngjarjen e rëndë. Ngjarja rikthen në vëmendje rastin e Martin Canit, i cili humbi jetën mesditën e 18 nëntorit 2024 pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj.

Poll

MOS HUMB