ITALI- Një ngjarje e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Torino ka marrë një tjetër drejtim pas dyshimeve se përplasja e një fëmije 5-vjeçar mund të mos ketë qenë aksidentale. Një 24-vjeçare e identifikuar si Camilla D’Alessandra, është arrestuar nga karabinierët nën akuzën e tentativës së vrasjes dhe plagosjes së rëndë.
Sipas mediave italiane ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 në kryqëzimin e rrugëve Pinelli dhe Industri në lagjen San Donato. Fëmija ishte duke ecur së bashku me babain, nënën dhe motrën e tij kur një Fiat Panda e verdhë humbi kontrollin dhe e përplasi. Pas goditjes së të miturit automjeti u përplas edhe me një makinë të parkuar, ndërsa drejtuesja u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Në momentet e para ngjarja u trajtua si një aksident rrugor, por dëshmia e babait të fëmijës ngriti dyshime të tjera. Ai pretendoi se e kishte njohur gruan në drejtim të automjetit duke deklaruar se bëhej fjalë për ish-partneren e tij dhe se përplasja mund të kishte qenë e qëllimshme.
Dyshimet e hetuesve u përqendruan te 24-vjeçarja Camilla D’Alessandra, e cila u lokalizua më vonë nga karabinierët e njësisë së ndërhyrjes së shpejtë të Torinos. Ajo u arrestua dhe ndaj saj rëndojnë akuzat për tentativë vrasjeje dhe plagosje të rëndë.
Fëmija pas përplasjeS mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe u transportua me kod të kuq në spitalin pediatrik Regina Margherita. Mjekët i konstatuan trauma në kraharor dhe në abdomen, ndërsa dëmtimet janë vlerësuar se kërkojnë rreth 40 ditë për t'u shëruar.
Pas ngjarjes pjesëtarë të komunitetit maroken, ku bën pjesë familja e të miturit u mblodhën pranë vendit të përplasjes. Në zonë mbërritën policia bashkiake të cilët nisën mbledhjen e provave dhe dëshmive për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë avokati i 24-vjeçares Cristian Scaramozzino ka kërkuar që të mos përjashtohet edhe skenari i një aksidenti. Sipas tij, fakti që e reja dhe babai i fëmijës njiheshin nuk është provë se përplasja ka qenë e qëllimshme./ZËRI