
BRUKSEL- Ka përfunduar pa marrëveshje takimi mes kryenegociatorëve, ai i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe i Serbisë, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, u takuan sot në Bruksel për të diskutuar rreth propozimeve për mënyrën e zbatimit të Rregullorës së BQK-së, e cila nuk e lejon dinarin serb, sikundër as valutat e tjera- pos euros, që të përdoret si mjet pagese në Kosovë.
Një takim tjetër do të mbahet javën e ardhshme me të njëjtën temë. Pas takimit Bislimi ka shprehur nevojën për një takim shtesë për zgjidhjen e çështjes së dinarit serb.
“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Pavarësisht përpjekjeve për afrim, duket se është e nevojshme një takim shtesë, i cili ndoshta do të ndodhë javën e ardhshme nëse zoti Lajçak e gjykon të përshtatshëm. Ne kemi dy propozime. Jemi të vetëdijshëm për fokuset e secilës palë, por në këtë moment është më e mençur të mos zbulojmë detajet për të mos dëmtuar procesin negociator,'- u shpreh Bislimi.
Takimi i sotëm ishte vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re. Por javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet sërish./ZËRI