
BRUKSEL- Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë Petar Petkoviç do të takohen këtë të hënë në Bruksel për të dialoguar për çështjen e dinarit serb, i cili ka ngritur sërish tensionet mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit. Takimi vjen me ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky takim, është vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Sot në Bruksel, palët do të ofrojnë propozimet e tyre.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet në Bruksel./ZËRI