BRATISLAVA -Partia Populiste e drejtuar nga Robert Fico, Smer SD, formalisht, nëse akoma jo prakisht, ka fituar zgjedhjet në Sllovaki. Partia e drejtuar nga ish-kryeministri i vendit, që ka bërë një fushatë të qartë pro ruse dhe kundër BE-së, arriti të marrë 23.42 përqind të votave. Kjo, në kohën që janë numëruar 98.12 përqind e votave në total.
Sllovakia Progresive, një parti liberale, me natyrë të qartë pro europiane, e parë si favorite në sondazhe, në fakt mori 16.75 përqind të votave.
Qëndrim kundër Ukrainës
Fico kohët e fundit ka bërë një deklaratë, që është kundër Ukrainës. Ai bëri thirrje për paqe mes Moskës dhe Kievit. Fico ishte dhe kundër arrestimit të Putin.
“Lufta në Ukrainë i ka fillesat që në vitin 2014, kur fashistët ukrainas filluan të vrasin civilë rusë në rajonin e Krimesë. Është interesi jetik i Sllovakisë që të mbajë raporte të mira edhe me Federatën Ruse. Perëndimi në këtë luftë është treguar jo pak agresiv. Nuk do lejojmë që presidenti rus Vladimir Putin të arrestohet, siç edhe thuhet në arrestin ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij”, dekaroi Fico.
Kush është Robert Fico?
Fico filloi karrierën e tij politike në Partinë Komuniste pak para se Revolucioni i Kadifejve i vitit 1989 të shpërbënte ish-Çekosllovakinë. Profesioni i tij është avokat. Ai ishte përfaqësues i Sllovakisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg nga viti 1994 deri në vitin 2000.
Më 1999, pasi nuk po i jepej një post ministri, Fico braktisi Partinë Demokratike të së Majtës, dhe krijoi formacionin e tij politik, Smer-Social Demokrat (Smer-Sd). Në vitin 2006, Smer SD arriti sukses elektoral, gjë që bëri që Fico të jetë për një periudhë kohe kryeministër, dy vjet pasi Sllovakia kishte hyrë tashmë në BE. Fico formoi një koalicion me Partinë Kombëtare Sllovake (SNS) të ekstremit të djathtë, e cila ishte populiste dhe kishte një retorikë të ashpër kundër emigrantëve që vinin në Europë.
Hyrja e Sllovakisë në eurozonë në vitin 2009 e mbylli mandatin e tij të parë katërvjeçar si kryeministër, por zgjedhjet e vitit 2010 e kthyen atë në opozitë, pasi nuk arriti të formonte një koalicion, pavarësisht fitores së tij.
Një humbje politike
Një sukses i ri zgjedhor erdhi në vitin 2012, pas rënies së një koalicioni të qendrës së djathtë, të rrëzuar nga akuzat për korrupsion. Më 2014, Fico u mund në garën për president nga Andrej Kiska, një filantrop politik.
Fico mbahet mend se mbajti një qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve në vitin 2015. Fico tha deklarata të rënda për emigrantët, duke refuzuar "të krijonte një komunitet të veçantë mysliman në Sllovaki". Ai kritikoi programin e BE, për të shpërndarë emigrantët në vendet europiane.
Me këtë platformë politike, Smer fitoi zgjedhjet më 2016. Fico u bë kryeministër, por ra nga pushteti pas vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak. Në zgjedhjet e 2020, Fico humbi, por ruajti vendin e tij në Kuvend.
Robert Fico është martuar me Svetlava Ficova dhe së bashku kanë një djalë. Mediat kanë ngritur dyshime se çifti mund të jenë ndarë. Fitorja e Robert Ficos do ishte jo pak “kokëdhimbje” për Bashkimin Europian, pasi një vend anëtar i BE-së, do të drejtohet një parti me qasje pro ruse./Zëri.ai/