
KOSOVË- Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar pamjet e banesës së Milan Radojçiçit. Pamjet janë nga aksioni i sotëm ku është bastisur vila e tij.
Vila ndodhet pranë Liqenit të Ujmanit dhe siç shihet është super luksoze.
“Sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund.
Policia e Kosovës në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot është kryer bastistje në banesën e Milan Radojçiq, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën “Mami”.
Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë.
Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist” shkruan Sveçla në njoftim.
U sekuestruan:
· 2 Automjete Mercedes
· Argjend 4.84 Kg
· 2 Motor 4X4
· 1 Barkë-Anije
· 7 DVR
· 2 Pllaka antiplumb me dy mbrojtës
· 3 Thika
· 2 Rutera
· 2 Çelësa të veturave
· 5 Gëzhoja
· 1 Dronë
· 5 USB
· 1 Kamera GoPro- SSD
· 1 Video kamerë me kartelë
· 1 Shënjestër optike
· 1 Spray
· 7 telefona celular
Goran Petronijeviç, avokati i Milan Radoiçiçit, biznesmenit kontrovers dhe tashmë nënkryetar në largim të Listës Serbe, tha sot në një konferencë për media se Radoiçiç pranoi përgjegjësinë për organizimin e konfliktit të armatosur në afërsi të Banjskës. Avokati ka lexuar njoftimin e Milan Radoiçiçit.
Emri i Milan Radoiçiçit ishte në qendër të ngjarjeve në Kosovë, kur fundjavën e kaluar pati një konflikt të armatosur në afërsi të fshatit Banjskë. Se çfarë ka ndodhur saktësisht natën e së shtunës dhe të dielës dhe si kanë ndodhur të shtënat ende nuk është plotësisht e qartë, ndërsa praninë e nënkryetarit të Listës Serbe e ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Vuçiç më pas ka mohuar informacionet që kanë dalë në media se Radoiçiç është plagosur në këtë konflikt dhe ka shtuar se do të merret në pyetje para organeve kompetente në Serbi./Zëri.ai