
IRANI-Teksa armëpushimi po respektohet ende nuk ka pasur ndonjë pranim publik nga individi që konsiderohet si figura më e fuqishme në vend, Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei. Lideri suprem i Iranit, duket se ka pranuar të tërhiqet dhe të pranojë një armëpushim pas një paralajmërimi të drejtpërdrejtë nga inteligjenca amerikane.
Sipas një raportimi të publikuar nga Corriere della Sera, Uashingtoni i ka dërguar Khameneit një mesazh të qartë dhe kërcënues: “Ose brenda 24 orëve pranon armëpushimin, ose ne do të vijmë të të marrim”, duke përfshirë edhe koordinatat e vendndodhjes së tij të fshehur.
Khamenei, i njohur për kujdesin ekstrem për mbijetesën e tij dhe të regjimit islamik, thuhet se ka zgjedhur të tërhiqet – jo vetëm sepse nuk kishte zgjedhje, por edhe sepse “i duhej një moment për të marrë frymë”, thotë burimi. Që nga mëngjesi i së djeshmes, televizioni shtetëror iranian IRIB dhe mjetet e tjera të propagandës së regjimit janë mobilizuar për të treguar versionin e tyre të asaj që po quhet tashmë “Lufta 12-ditore”.
Në emisione televizive, komentatorët pro-regjim deklarojnë fitoren: “Ne i fituam, askush nuk mundi të na mposhte”, ndërsa pretendojnë se edhe SHBA ka lutur Iranin të ndalojë bombardimet ndaj bazave amerikane dhe Izraelit.
Pavarësisht se ende fshihet në një bunker për shkak të frikës nga atentatet – pas vrasjes së disa gjeneralëve të tij – Ayatollah Khamenei ka qenë i pari që ka shpallur “triumfin”.
Në një postim në X, ai shkroi: “Kush e njeh popullin iranian dhe historinë e tij, e di që ky popull nuk dorëzohet.”
Zëdhënësi i Organizatës për Energjinë Atomike të Iranit, Behrouz Kamalvandi, deklaroi se “industria bërthamore nuk do të ndalet” dhe se “rrënjët e saj nuk mund të shkulen”. Ekspertët perëndimorë e cilësojnë këtë situatë si një humbje të qartë për Iranin, duke e përshkruar si poshtërimin më të madh ushtarak në historinë moderne të Republikës Islamike.