
BUKURESHT- Një shtetas sirian, i paidentifikuar me emër është arrestuar në kryeqytetin e Rumanisë pasi sulmoi hyrjen e ambasadës izraelite me një koktej molotov. Shpërthimi shkaktoi zjarr të vogël, por fatmirësisht pa viktima. Sipas mediave të huaja, i arrestuari është një 34-vjeçar, i cili u kap teksa po tentonte t'i vinte flakën vetes.
Një zëdhënës i policisë i tha kanalit lokal të lajmeve "Digi24" se incidenti ishte i motivuar nga ankesat personale dhe jo nga konteksti ndërkombëtar i luftës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës.
Ambasada e Izraelit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i dyshuari besohet se është me origjinë siriane. Ambasadori i Izraelit në Rumani, Reuven Azar, dënoi incidentin në një deklaratë video të lëshuar të hënën, duke thënë se "terrorizmi nuk njeh kufij" dhe duke e etiketuar të arrestuarin si një "ekstremist të dhunshëm". Ndaj aktualisht ai po merret në pyetje nga Policia rumune./ZËRI