Bota

OBSH mesazh për Izraelin dhe Hamasin: Ndaloni sulmet në spitale

Organizata Shëndetësore e Shëndetësisë bën thirrje për ndalim të sulmeve në spitale, ndërsa shprehet se për OBSH-në, është me rëndësi jeta e izraelitëve dhe e palestinezëve.

D.XH
OBSH mesazh për Izraelin dhe Hamasin: Ndaloni sulmet në spitale
Gaza

GAZA- Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i bëri thirrje Izraelit dhe Hamasit, që të ndalojnë të gjitha sulmet në spitale, një ditë pas sulmit vdekjeprurës që mori jetën e qindra njerëzve në një spital në Gaza.

"Ne po kërkojmë të paktën që të gjitha sulmet në infrastrukturën shëndetësore të ndalen", tha shefi i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge në një intervistë për AFP.

"Së dyti, civilët duhet të mbrohen, fëmijët duhet të mbrohen dhe së treti, ndihma humanitare duhet të lejohet të arrijë nga Rafah në Gaza, sepse të gjitha furnizimet tona janë tashmë të vendosura atje, por kufiri nuk është ende i hapur", shtoi Kulge.

Në spitalin Al-Ahli Al-Arabi, në qendër të Gazës, dje u vranë 200 deri në 300 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së territoreve palestineze, ndërsa Hamasi, organizata islamike që kontrollon Rripin e Gazës, flet për mbi 500 vdekje. Sipas vlerësimeve të tjera, numri është edhe më i lartë.

Që kur Hamasi pushtoi Izraelin jugor më 7 tetor, OBSH ka regjistruar 140 sulme në objektet shëndetësore. 6 sulme janë bërë në Izrael, 77 në Bregun Perëndimor dhe 57 në Gaza.

Më shumë se 1400 njerëz kanë humbur jetën në Izrael, shumica e tyre civilë, të vrarë në ditën e sulmit të befasishëm të Hamasit.

Ndërsa, 3300 njerëz janë vrarë në sulmet hakmarrëse izraelite në Gaza, kryesisht civilë, duke përfshirë qindra fëmijë. Kluge shfaqet kategorik, kur tha se zgjidhja e vetme është ndalimi i luftimeve. “Motoja jonë është shëndet për të gjithë, si për popullin izraelit, ashtu edhe për popullin palestinez”, deklaroi zyrtari i OBSH-së.

Më shumë se 4700 persona kanë vdekur, nga sulmet e përgjakshme të Izraelit dhe të Gazës./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB