
KINË- Më shumë se 800,000 njerëz në Evropë dhe SHBA duket se janë mashtruar, duke u detyruar që të ndajnë në rrjet detaje të kartës së tyre të bankës dhe të dhëna të ndjeshme me një rrjet të madh "e-shopesh" me bazë në Kinë. Një hetim ndërkombëtar nga gazetat "The Guardian", "Die Zeit" dhe "Le Monde" zbuloi atë që e përshkroi si një nga mashtrimet më të mëdha të këtij lloji. Sipas hetimeve, mashtruesit kishin krijuar mbi 76,000 faqe interneti.
Të dhënat e rishikuara nga gazetarë dhe ekspertë të IT-së tregojnë se ky rrjet është shumë i organizuar. "Dyqanet online" pretendonin se ofronin me zbritje produkte nga Dior, Nike, Lacoste, Hugo Boss, Versace dhe Prada, por edhe shumë marka të tjera luksi. Megjithatë, faqet nuk kanë asnjë lidhje me markat që pretendojnë se shesin dhe në shumicën e rasteve konsumatorët porositën, paguan paratë dhe nuk morën kurrë asnjë produkt.
Këto dyqane janë krijuar në vitin 2015 dhe vetëm në 3 vitet e fundit kanë marrë më shumë se 1 milion porosi. Kjo shifër mendohet se përkthehet në 50 milionë euro fitime. Deri më tani, rreth 800,000 njerëz, pothuajse të gjithë në Evropë dhe SHBA, kanë dhënë adresa emaili, ndërsa 476,000 prej tyre kanë dhënë detaje të kartës së debitit dhe kreditit, përfshirë numrin e tyre treshifror të sigurisë.
Por të gjithë u kanë dhënë emrat, numrat e telefonit, emailet dhe adresat postare.
Për këtë hetim janë intervistuar rreth 49 persona që thonë se janë mashtruar. The Guardian foli me 19 persona nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA. Provat e tyre sugjerojnë se këto faqe interneti nuk janë krijuar për të tregtuar mallra të falsifikuara, pasi nuk morën asnjë porosi. Disa të tjerë kanë marrë produkte, por nuk mori atë që kishte porositur.
Çuditërisht, shumë prej atyre që u përpoqën të bënin pazar nuk humbën kurrë para. Kjo pasi ose banka e tyre bllokoi pagesën, ose vetë 'dyqani' nuk i pranoi si klientë.
Megjithatë, të gjithë të intervistuarit kanë një gjë të përbashkët: ata kanë dorëzuar të dhënat e tyre private.
Ky është edhe rreziku më i madh./ZËRI