
SHBA- Kompania AstraZeneca ka njoftuar se po tërheq vaksinën e saj Vaxzevria kundër Covid-19 muaj pasi pranoi në dokumentet e gjykatës se ilaçi mund të shkaktojë mpiksje të rrallë gjaku.
Sipas njoftimit të kompanisë, vaksina nuk do të mund të përdoret më në Bashkimin Evropian. Kërkesa për tërheqje është dorëzuar më 5 mars dhe ka hyrë në fuqi nga dje, e martë.
Sipas AstraZeneca, vaksina po tërhiqet për arsye komerciale pasi “është tejkaluar nga vaksinat e rinovuara që adresojnë variantet e reja të Covid-19”. Kjo, sipas njoftimit, ka sjellë rënie të kërkesës për vaksinën e AstraZeneca, e cila nuk po prodhohet më dhe as nuk tregtohet.
“Sipas raporteve të pavarura, vetëm në vitin e parë të përdorimit të kësaj vaksine u shpëtuan 6.5 milionë jetë dhe u shpërndanë gjithsej 3 miliardë doza në mbarë botën. Përpjekjet tona janë njohur nga qeveritë në mbarë botën dhe janë parë si kritike për t’i dhënë fund pandemisë globale. Tani do të punojmë me ligjvënësit dhe partnerët tanë për të patur një mbyllje të pastër të këtij kapitulli dhe kontributin e tij të rëndësishëm në pandeminë Covid-19”, tha kompania në një deklaratë.
Ky njoftim vjen pasi më 7 Maj, Agjencia Evropiane e Barnave lëshoi një deklaratë se vaksina nuk është më e autorizuar për përdorim. Ndërkohë, vetë kompania ka pranuar para disa ditësh se vaksina e saj anti-Covid mund të shkaktojë një efekt anësor të rrallë.
Kjo ka ardhur pas disa padive se vaksina e gjigandit farmaceutik ka shkaktuar vdekje dhe lëndime të rënda në dhjetëra raste. Avokatët e palës së paditësve kanë argumentuar se vaksina ka prodhuar një efekt anësor, i cili ka pasur një efekt shkatërrues në një numër familjesh.