
PODGORICË
Nikë Gjeloshaj, nga Lista e Forumit Shqiptar, do të jetë kandidat i këtij koalicioni për zevëndëskryeministër në qeverinë malazeze, që pritet të drejtohet nga ana e kryetarit të “Europa tani”, Milojko Spajiç. Ndërsa, Marash Dukaj u propozua për ministër të Administratës Publike.
Kështu ka bërë të ditur Forumi Shqiptar. Gjeloshaj është kryetar aktual i Komunës së Tuzit, ndërsa Dukaj është ministër i Administratës Publike në Qeverinë në largim të kryeministrit Dritan Abazoviç.
“Ju bëjmë me dije se në bazë të marrëveshjes, në bazë të diskutimeve në organet partiake, u mor një vendim unanim për kandidatët që do të prezantojnë Forumin Shqiptar”, thuhet në njoftim.
Anëtarët e Forumit Shqiptar, siç thuhet, i rekomanduan dhe propozuan këta dy emra, duke ditur punën dhe kontributin e madh që kanë dhënë deri tani në pozicionet e tyre.
"Gjeloshaj dhe ekipi i tij e kthyen komunën e Tuzit në një model rajonal të qeverisjes së mirë, duke arritur një zhvillim të madh ekonomik dhe infrastrukturor. Nik Gjeloshaj është një person shumë i përkushtuar në punën që bën dhe kjo na bind, prandaj besojmë se Forumi Shqiptar ka marrë vendim të drejtë”, thuhet në njoftim.

Dukajt i është propozuar që të vazhdojë të jetë ministër i Administratës Publike, “punë të cilën e ka kryer me profesionalizëm dhe sukses deri tani, duke reformuar administratën publike dhe duke inicuar ligje që Mali i Zi as nuk i ka pasur, siç është Ligji për Qeverinë".
"Ministria e Administratës Publike nën udhëheqjen e Dukajt në një vit ka punuar më shumë se sa kanë punuar ministrat e tjerë në atë fushë në dekadat e fundit. Kandidatët tanë për Qeverinë e 44-të do të punojnë gjithmonë për të mirën e të gjithë qytetarëve. Forumi Shqiptar do të jetë një faktor kyç në proceset vendimtare politike dhe shoqërore, me theks të veçantë në procesin e decentralizimit dhe të zhvillimit të fuqishëm ekonomik”, u tha në deklaratën e koalicionit të partive politike shqiptare.
Qeveria e 44 e Malit të Zi, do të përbëhet nga Lëvizja “Europa tani”, e cila drejton koalicionin, pas fitores në zgjedhje, Demokratët, Partia Popullore Socialiste, Forumi Shqiptar, Aleanca Shqiptare, me mbështetje nga disa parti pro-serbe. Marrëveshja u nënshkrua nga liderët e koalicioneve./Zëri.ai/