Bota

Komentet e OKB ‘tërbojnë’ Izraelin, masa që ka marrë Tel Avivi

Izraeli tha se do ndalojë vizat për zyrtarët e OKB-së. Tel Avivi konsideron se komentet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Gueterres janë skandaloze.

D.XH

Komentet e OKB ‘tërbojnë’ Izraelin, masa që ka

TEL AVIV - Izraeli do të ndalojë vizat për zyrtarët e OKB-së, pas komenteve të bëra nga Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres, për krizën në Lindjen e Mesme. Këtë e ka bërë me dije ambasadori i Izraelit në OKB.

Në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, Guterres tha se sulmet e Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit nuk ndodhën nga hiçi.

“Si rezultat i kësaj deklarate, ne do të refuzojmë vizat për përfaqësuesit e OKB-së”, tha ambasadori Gilad Erdan për Radion e Ushtrisë Izraelite.

Izraeli tashmë ka refuzuar një aplikim për vizë nga Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente, Martin Griffiths. "Është koha t'u japim një mësim," shtoi Erdan.

Guterres tha se sulmi i Hamasit në Izraelin jugor erdhi pas pushtimit mbytës të palestinezëve. Gueterres tha se palestinezët e kanë parë tokën e tyre të gllabëruar vazhdimisht nga vendbanimet dhe të rrënuar nga dhuna.

Hamasi sulmoi befasisht Izraelin më 7 tetor, duke vrarë të paktën 1400 njerëz dhe duke rrëmbyer më shumë se 200 të tjerë. Sulmet izraelite që atëherë kanë vrarë më shumë se 5,000 njerëz në Gaza, duke përfshirë 2,055 fëmijë.

Bombardimet e ashpra të Izraelit dhe bllokimi i plotë në enklavën palestineze kanë rrafshuar lagje të tëra, kanë shkatërruar sistemin e kujdesit shëndetësor dhe kanë vënë në rrezik jetën e civilëve që përballen me dehidrim të rëndë dhe uri. "Dënimi kolektiv i Izraelit i civilëve të Gazës përbën një krim lufte”, tha Amnesty International.

Ministria e Punëve të Jashtme Palestineze tha se kritikat e Izraelit ndaj Guterres ishin të pajustifikuara dhe përfaqësonin një mungesë respekti ndaj Kombeve të Bashkuara. Griffiths, Koordinatori i Ndihmës Emergjente të OKB-së, ka qenë i qartë në thirrjen e tij për të ndihmuar civilët palestinezë në Gaza.

"Unë përsëris thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm për një armëpushim të menjëhershëm humanitar për të lehtësuar vuajtjet njerëzore në #Gaza", tha ai të martën.

Si rezultat i luftës mes palëve, më tepër se 7200 njerëz kanë vdekur nga sulmet e të dyja palëve. Situata në Gaza është tejet e rëndë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB