
SHBA- Që kur Gypsy Rose ishte fëmijë, Dee Dee Blanchard kishte arritur të bindte mjekët, organizatat bamirëse dhe madje edhe vajzën e saj se ajo vuante nga sëmundje të rënda, të rrezikshme për jetën. E gjitha kjo për të marrë para për të bijën. Megjithëse vajza e dinte se mund të ecte pa karrige me rrota, ajo kishte frikë të kundërshtonte nënën e saj, e cila e kontrollonte si kukull.
Situata në familjen Blanchard filloi të bëhej e padurueshme për Gypsy Rose kur nëna e saj zbuloi se ajo kishte takuar një djalë me të cilin edhe ishte lidhur. I riu, i quajtur Nicholas Gordon, e kishte takuar Gypsy Rose në internet përmes një faqeje të krishterë në vitin 2012 dhe të dy filluan një lidhje dashurie të fshehtë që zgjati për tre vite.
Në vitin 2015, kur Gypsy Rose ishte 23 vjeç, vrau të ëmën me ndihmën e vetë të dashurit të saj.
Pas arrestimit të çiftit, Gypsy Rose Blanchard u deklarua fajtore për vrasje të shkallës së dytë dhe u dënua në vitin 2016 me 10 vjet burg, me mundësinë e lirimit me kusht në 8 vjet. I dashuri i saj, nga ana tjetër, u dënua me burgim të përjetshëm, pasi ishte dora e tij që i dha fund jetës së Dee Dee Blanchard.
Historia e Gypsy Rose kishte bërë bujë në SHBA dhe u bë e njohur në mbarë botën përmes intervistave të saj nga burgu, si dhe serialeve televizive dhe dokumentarëve që sollën në ekran jetën e saj.
32-vjeçarja ka folur për median amerikane “ABC” për jetën e re pas burgut dhe pohoi se në kohën kur po planifikonte vrasjen e Dee Dee me Godson, ajo vetë ishte e varur nga qetësuesit e fortë kundër dhimbjeve që ndikuan në gjykimin e saj.
“Nuk besoj se nëna ime ishte një përbindësh. Ajo kishte demonët e saj për të luftuar. Nuk doja që ajo të vdiste, doja vetëm të shpëtoja nga kjo situatë që po jetoja dhe mendova se ishte e vetmja zgjidhje. Unë po e ndaj historinë time duke dashur të ndikoj tek ata që janë në këtë situatë, në mënyrë që ata të mos zgjedhin rrugën që kam marrë unë. Unë nuk fajësoj drogën apo ndonjë gjë tjetër. Nuk më pëlqejnë justifikimet. Tani jam e pastër, kam 4 vite që nuk e përdor dhe nuk e ndjej të nevojshme,”- shpjegoi ajo.
Nga burgu, në yllin e mediave sociale
Brenda disa ditësh nga lirimi i saj, 32-vjeçarja Gypsy Rose Blanchard është bërë hit në rrjet. Në postimet e saj të para, Gypsy Rose postoi foto që dokumentonin jetën e saj pas burgut. Në Instagram, 32-vjeçarja ka postuar foto të buta me bashkëshortin dhe momentet e lumtura që kalojnë së bashku pas daljes nga burgu. Madje nuk i ka kursyer as detajet intime.
Rose Blanchard u martua me Ryan Anderson në vitin 2022 ndërsa vuante dënimin në një burg në Misuri. Historia e tyre e dashurisë nisi kur Ryan, i dërgoi një letër në burg. Sesa do zgjasë mbetet për t’u parë./ZËRI