
BEOGRAD- Serbia ka nënshkruar këtë të premte një marrëveshje zyrytare me Bashkimin Europian për t’i dhënë BE-së akses për të shfrytëzuar pasuritë nëntokësore të Serbisë. Pas kësaj, pritet të nisë punë miniera më e madhe e litiumit në Europë. Kancelari gjerman Olaf Scholz, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Maros Sefcovic kanë zhvilluar një konferencë për media ku dhanë detaje nga marrëveshja.
Gjatë fjalës së tij, Kancelari gjerman Scholz theksoi se projekti do të bëhet vetëm nëse është i orientuar drejt standardeve që BE i konsideron korrekte. Ndërsa Presidenti Vuçiç, tha se kjo minierë ka potencialin për të nxjerrë 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. PPB-ja e Serbisë për vitin 2023 ishte 75 miliardë dollarë. Nga ana tjetër opozita serbe dhe aktivistët e mjedisit kanë paralajmëruar se do të bllokojnë hekurudhat dhe rrugët kryesore nëse qeveria do të vijojë me projektin. Nëse ky projekt prej 2,4 miliardë dollarësh ecën para, atëherë mund ta shndërrojë Serbinë në një vend tërheqës duke mbuluar 90% të nevojave aktuale të Europës për litium.
View this post on Instagram
A duhet të shqetësohet Kosova nga kjo?
Kryeministri serb, Millosh Vuçeviç tha se Serbia duhet t’i përdorë për avantazhe gjeopolitike pasuritë e saj nëntokësore. Këtu ai vë theksin tek Kosova dhe ruajtja e Republikës Srpska. Mbetet e paqartë se çfarë ka dashur të thojë saktësisht shefi i qeverisë serbe, por ky mund të jetë një mesazh paralajmërimi për Kosovën, në mes të tensioneve në rritje mes vendeve.
Millosh Vuçeviç: Neve na intereson vetëm çfarë merr Serbia dhe çfarë përfitimesh do të kenë qytetarët, për të mbrojtur qytetarët, përrenjtë dhe lumenjtë tanë. Jadariti ose litiumi përfaqësojnë një mundësi gjeopolitike për Serbinë. Nëse ka nevojë të madhe gjeopolitike për të, le ta përdorim edhe në çështjen e Kosovës dhe ruajtjen e Republikës Srpska./ZËRI