MOSKË- Presidenti rus Vladimir Putin i është drejtuar sot Asamblesë Federale për të parashtruar vizionin e tij për Rusinë në vitet e ardhshme. 2 javë para zgjedhjeve, Putin vlerësoi gjendjen e vendit dhe përcaktoi drejtimet kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme. Gjithashtu vuri piketat e prioriteteve më të rëndësishme të zhvillimit socio-ekonomik dhe garantimit të sigurisë kombëtare të vendit.
"Të dashur qytetarë të Rusisë, ky fjalim ka të bëjë kryesisht me të ardhmen. Por sot nuk do të flasim vetëm për nesër, por për të ardhmen, për përparimin e vendit tonë. Ata i bënë llogaritë gabim, u ndeshën me qëndrimin dhe vendosmërinë e popullit tonë shumëkombësh. Dhe kjo tashmë është e qartë. Ne do të kapërcejmë gjithçka. Së bashku ne mund të bëjmë gjithçka. Ne nuk e filluam luftën në Donbas. Por ne do të bëjmë gjithçka për t'i dhënë fund,"-tha Putin.
Ai gjithashtu kritikoi Perëndimin, duke e akuzuar se ka për qëllim të shkatërrojë Rusinë. Duke komentuar deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron se vendet që ofrojnë ndihmë për Ukrainën nuk duhet të përjashtojnë mundësinë e dërgimit të trupave të tyre në Ukrainë, Putin tha se pasojat në front do të jenë "tragjike".
"Perëndimi ka shkaktuar konflikte në shumë vende të botës dhe pavarësisht këtyre pretendimeve se është Rusia ajo që është e gatshme të “sulmojë” Evropën, janë ata që po na çojnë drejt rrezikut të përshkallëzimit të konfliktit me përdorimin e armëve bërthamore. dhe kjo do të thotë shkatërrim i qytetërimit,”-shtoi ai.
Presidenti rus Vladimir Putin, duke folur para Asamblesë Federale, pretendoi se NATO po përgatit një sulm ndaj Rusisë, me Suedinë dhe Finlandën që i bashkohen Aleancës, por se Rusia ka një përgjigje për çdo lloj kërcënimi./ZËRI