
SHBA - Më shumë se 90 njerëz kanë vdekur nga moti i keq në SHBA, pasi moti me stuhi dhe dëborë ka goditur vendin. Së paku 25 vdekje janë regjistruar në Tenesi dhe 16 në Oregon, shtet i cili mbetet në gjendje emergjente, pas stuhive të forta të akullit.
Dhjetëra dhe mijëra njerëz mbeten gjithashtu pa energji në pjesë të ndryshme të vendit. Kushtet e motit pritet të jenë më të mira në ditët në vijim. Një total prej 92 vdekjesh të lidhura me motin e keq janë regjistruar në të gjithë vendin gjatë javës së kaluar, sipas një raporti të CBS, partneri i BBC-së në SHBA.
Ndërsa numri i vdekjeve ka qenë më i madh në Tenesi dhe Oregon, viktima janë raportuar gjithashtu në Misisipi, Illinois, Pensilvani, Uashington, Kentaki, Wisconsin, Nju Jork, Nju Xhersi etj.
Në një incident në Portland, Oregon të mërkurën e kaluar, tre persona u goditën nga rryma për vdekje, kur erërat e fuqishme shkaktuan rënien e një linje elektrike dhe goditën automjetin në të cilin po udhëtonin. Një foshnjë që ndodhej në makinë ka shpëtuar. Vdekje të tjera mbeten nën hetim, duke përfshirë atë të një personi të vrarë në një aksident të shumëfishtë, ku janë përfshirë pesë makina në Kentucky dhe katër në Illinois.
Pesë persona - shumica prej tyre supozohet se ishin të pastrehë - vdiqën gjatë vetëm katër ditëve në Seattle, sipas Associated Press. Në Misisipi, moti ka bërë që zyrtarët të paralajmërojnë drejtuesit e mjeteve që të ngasin makinën vetëm nëse është e nevojshme dhe të jenë të vetëdijshëm për akullin në rrugët e shtetit. Kolegjet dhe universitetet në shtet kanë vonuar kthimin e studentëve nga pushimet dimërore, për shkak të kushteve të motit./ZËRI/