
KOSOVË- 13 persona, prej tyre 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës dhe një biznesmen janë vënë në prangat e Policisë së Kosovës, në një operacion të gjërë të koordinuar mes Prokurorisë dhe Policisë. Ata akuzohen për veprat penale të ‘’Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”. Sipas autoriteteve dëmi ekonomik në buxhetin e Kosovës, shkon në 2.8 milionë euro. Raportohet se gjatë kontrollit në banesën e një prej të arrestuarëve, konkretisht të identifikuar me inicialet F.M, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtëra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera material.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot ka realizuar një aksion, me ç ‘rast janë kontrolluar dhe bastisur dy lokacione, përkatësisht në qytetin e Podujevës dhe Prizrenit, ku fillimisht janë arrestuar 13 persona të dyshuar, 12 prej tyre zyrtarë të ATK-së dhe një pronar i një biznesi”.
“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilë janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur./ZËRI