
TEHERAN- Ceremonia funebre për Ebrahim Raisi dhe shtatë viktimat e tjera të pranishme me presidentin iranian në helikopterin që u rrëzua në provincën e Azerbajxhanit Lindor të dielën filloi në Sallën e Samitit të Teheranit. Mbi 22 krerë shtetesh dhe zyrtarë nga fqinjët e Iranit dhe rajoni po marrin pjesë në ceremoni, duke përfshirë përfaqësues nga Egjipti, Turqia, Siria, Bjellorusia, Rusia dhe Libani. Presidenti i emëruar pas vdekjes së Raisi, Mohammad Mokhber, dhe ministri i përkohshëm i jashtëm, Ali Bagheri po drejtojnë ceremoninë.
Dhjetëra mijëra iranianë janë mbledhur që herët në mëngjes në qendër të kryeqytetit për t'i bërë nderimet e fundit Raisit. Udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei drejtoi lutjet gjatë ceremonisë.
“O Allah, nga ai pamë vetëm mirë,”- tha Khamenei për Raisin.
Po ashtu, edhe udhëheqësi i Hamasit u takua gjithashtu me Khamenei, të cilit i shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e presidentit Raisi dhe shtatë viktimave të tjera të rrëzimit të avionit të së dielës. Gjatë takimit të tij me liderin politik të Hamasit Ismail Haniyeh, Khamenei theksoi se "premtimi për eliminimin e Izraelit do të mbahet.
"Do të shohim ditën kur Palestina do shkojë nga lumi në det."
Raisi u zgjodh president më 2021 dhe prej atëherë i kishte ashpërsuar kufizimet ndaj iranianëve, përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit dhe përmes një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të cilat ishin nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor për gjoja shkeljen e ligjit për bartjen e shamisë së kokës.
Mijëra njerëz, përfshirë protestues, gazetarë, avokatë, atletë dhe artistë janë arrestuar dhe së paku 500 njerëz janë vrarë gjatë luftës brutale të Iranit kundër protestave. Raisi gjithashtu kishte bërë përpjekje të mëdha në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore, duke e lejuar vendin e vet që njëkohësisht ta rrisë dukshëm edhe programin e vet për uranium të pasuruar./ZËRI