
KOREJA E VERIUT - Ekspertët besojnë se një fotografi e Kim Jong Un me vajzën e tij tregon shumë për të ardhmen e udhëheqjes në vendin diktatorial. Fotoja nuk duket e pazakontë në pamje të parë, teksa tregon udhëheqësin dhe vajzën e tij, Kim Ju-ae, duke vizituar një bazë të forcave ajrore të regjimit.
Por një detaj në foto është vënë re me shumë kujdes – e bija është fotografuar duke qëndruar përballë tij, duke errësuar pjesërisht anën e majtë të Kim. Chosun Ilbo, një gazetë në Korenë e Jugut fqinje, tha se ky ishte një veprim i paprecedentë, që tregonte se ajo ishte trashëgimtarja e dukshme e Kim.

Në artikull thuhet: “Ju-ae është shfaqur në shumë foto në mediat shtetërore dhe gjithmonë shfaqet pranë ose pas babait të saj, por në këtë foto ajo është personazhi kryesor. Është e paprecedentë në Korenë e Veriut të publikosh një foto me Kim Jong-un në sfond”, thuhet në artikull. Të bllokosh pamjen e Kim Jong-un në kamera është një tabu e madhe në Korenë e Veriut.

Në vitin 2019, fotografi personal i diktatorit u pushua nga puna dhe u akuzua për mashtrim, vetëm pse kishte dalë në foto përpara Kim, sipas një gazete tjetër koreano-jugore, Daily NK. Blici i kamerës kishte errësuar për një moment pamjen e qafës së Kim Jong-un për audiencën televizive; një vepër që konsiderohet si dëmtim i dinjitetit suprem të Kim Jong Un.

Ekspertët pajtohen se fotografimi i Kim Ju-ae në këtë mënyrë është dëshmi e statusit të saj të veçantë. Dhe nuk është hera e parë që e bija “guxon” të dalë në foto, ku ajo duket më tepër se diktatori. Është një nga disa fotot, që e kanë shtyrë Shërbimin Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut të besojë se ajo po përgatitet për të marrë pushtetin. Një tjetër fakt është se ajo po merr lëvdata dhe po propagandohet nga regjimi. Sipas raportimeve, ajo është quajtur "Gjenerali i yllit të mëngjesit" dhe konsiderohet “tepër e respektuar”. Cho Tae-yong, drejtor i Zyrës së Sigurisë Kombëtare të Koresë së Jugut, është ndër ata që tani janë të bindur se e bija do jetë pasardhëse e Kim. Ai tha për KBS: “Duke parë foton, mendoj se tani duhet ta konsiderojmë Kim Ju-ae si pasardhëse”.

Ndërkohë, Ministri i Unifikimit Kim Yung-ho vuri në dukje nivelin në rritje të protokollit për vajzën. Ai tha: “Nëse i shikojmë këto gjëra, nuk mund të përjashtojmë mundësinë që ajo në të ardhmen të jetë në pushtet, duke qenë se po e vendosin atë në skenën kryesore”. Gjithashtu i bindur për këtë është edhe Thae Yong-ho, një ish-diplomat i Koresë së Veriut, i cili u largua nga ambasada e Londrës në vitin 2016 dhe tani ulet në parlamentin e Koresë së Jugut. Michael Madden, themeluesi I Leadership Watch, shpjegoi rëndësinë e fotos së sapopublikuar. “Të tjerët në foton e liderit suprem dalin prapa tij dhe të distancuar. Pra, mund të themi me njëfarë saktësie se pozicionimi i së bijës në këtë fotografi tregon se vajza është një figurë e denjë për t’u respektuar”.


Vajza e Kim mban në foto syze dielli “Gucci”, që nuk janë dhe aq të lira. Këto syze dielli kushtojnë 78 deri në 288 dollarë. Fotoja me syze vjen, në kohën kur në atë vend goditet "kultura borgjeze" dhe sjellja "anti-socialiste”. Nuk është hera e parë që elitat e Phenianit kanë shkelur rregullat e tyre dhe Kim Ju Ae është fotografuar me veshje perëndimore në disa raste./ZËRI/